• e premte, 30 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Egjipti merr propozimin izraelit për armëpushim në Gazë - Hamasi mendohet, kushtet janë kontestuese

Egjipti merr propozimin izraelit për armëpushim në Gazë - Hamasi mendohet, kushtet janë kontestuese

Kajro, 15 prill 2025 (MIA) - Egjipti ka marrë një propozim izraelit për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe fillimin e negociatave për një ndërprerje të përhershme të armiqësive, njofton televizioni shtetëror "Al Kahera Njuz", duke cituar burimet e saj.

Si ndërmjetës në negociata, Kajro ia përcolli propozimin grupit islamik palestinez Hamas i cili kumtoi se po e analizonte dhe do të përgjigjet "sa më shpejt të jetë e mundur".

Funksionari i lartë i Hamasit, Abu Zuhri për Rojters deklaroi se propozimi nuk i plotësonte kërkesat e tyre themelore - ndalimin e plotë të ofensivës izraelite dhe tërheqjen ushtarake nga Gaza, transmeton BTA. Propozimi përfshin për herë të parë një kërkesë që Hamasi të çarmatoset në fazën tjetër të negociatave – diçka që organizata e hedh poshtë kategorikisht.

"Dorëzimi i armëve për rezistencën është kapërcim i një milion vijave të kuqe dhe nuk do të konsiderohet e lëre më të pranohet", deklaroi Abu Zuhri.

Izraeli në mars rinovoi ofensivën e tij ushtarake në Gazë duke i dhënë fund një armëpushimi që kishte qenë në fuqi që nga fundi i janarit.

Raundi i fundit i negociatave në Kajro për rinovimin e marrëveshjes dhe lirimin e pengjeve izraelitë përfundoi pa përparim, transmetojnë burimet palestineze dhe egjiptiane.

Hamasi insiston për një armëpushim të plotë dhe tërheqje izraelite, ndërsa Tel Avivi refuzon të ndalojë ofensivën përpara se Hamasi të mposhtet dhe të gjithë pengjet të lirohen.

"Jemi të gatshëm t'i dorëzojmë të gjithë pengjet e mbetura menjëherë, por vetëm nëse lufta përfundon dhe Izraeli tërhiqet", deklaroi Abu Zuhri. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR