• e hënë, 23 dhjetor 2024

Edhe sot takim i suksesshëm mes EVN-së dhe banorëve të Sllupçanit

Edhe sot takim i suksesshëm mes EVN-së dhe banorëve të Sllupçanit

Kumanovë, 4 gusht 2023 (MIA) - Takim të suksesshëm kanë mbajtur përfaqësuesit e EVN-së dhe banorët e Sllupçanit, konfirmuan për MIA-n nga kompania dhe Komuna e Likovës. Në mbledhjen e sotme janë duke u finalizuar detajet teknike lidhur me modernizimin e rrjetit në fshat. Të hënën do të ketë edhe një takim tjetër.

"Sot përsëri është mbajtur një takim i suksesshëm midis përfaqësuesve të EVN-së dhe përfaqësuesve të fshatit Sllupçan. Në takim u finalizuan detajet teknike për zbatimin e projektit rreth rindërtimit dhe modernizimit të rrjetit. Të hënën do të mbahet takimi i fundit, pas së cilës do të vijojë zbatimi i projektit", thonë nga EVN-ja.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Likovës, Zekiria Shaini deklaroi se pritet të finalizohen disa detaje dhe të fillohet me modernizimin e rrjetit.

"Së shpejti presim të fillojë modernizimi i rrjetit në fshat”, ka thënë Shaini.

Muajin e kaluar, në dy raste, banorët e Sllupçanit kanë mbetur pa energji elektrike dhe dërguan kërkesë në EVN. Nga kompania thanë se shumica e banorëve të Sllupçanit nuk paguajnë rrymë. Më 27 korrik u arrit marrëveshje e cila duhet të nënshkruhet së shpejti. Sipas informacioneve të fundit, modernizimi i rrjetit duhet të fillojë më 9 gusht të këtij viti.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR