• e premte, 05 dhjetor 2025

Edhe pesë ditë fushatë, priten vendime për koalicionet në raundin e dytë

Edhe pesë ditë fushatë, priten vendime për koalicionet në raundin e dytë

Shkup, 27 tetor 2025 (MIA) - Partitë politike kanë edhe pesë ditë kohë për të prezantuar kandidatët e tyre për kryetarë komune dhe anëtarë të këshillave komunalë për të siguruar mbështetje në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Priten edhe vendime për koalicionet për votimin e së dielës, më 2 nëntor.

Ekipet zgjedhore të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit dje kanë qenë në Bërvenicë, ku lideri Hristijan Mickoski, ndër të tjera retorikën e kandidatit për kryetar komune nga koalicioni "VLEN", Haqim Ramadani e vlerësoi si "një gabim të madh, veçanërisht për kandidatët për kryetar komune nga ky koalicion".

"Imagjinoni çfarë do të ndodhë tani në Tetovë, Strugë, Dibër dhe disa komuna të tjera. Pra, Maqedonia nuk ka parë një veprim kaq egoist nga një politikan në historinë më të re. Të hyjë duke menduar vetëm për veten dhe interesat e tij të shkurtra, ndërsa të neglizhojë të gjithë të tjerët, të cilët gjithashtu po luftojnë në raundin e dytë për mandatin e kryetarit të komunës", deklaroi Mickoski.

Edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, siç tha ai, me të cilët ka folur shumë seriozisht, e shohin me keqardhje të madhe dhe thjesht mosbesim atë që dëgjojnë se dikush në shekullin e 21-të mund të përdorë një fjalor të tillë.

Paralajmëroi se Ramadani do të shkarkohet nga pozicioni që mban aktualisht.

"E dëgjova Fatmir Limanin, i cili absolutisht nuk bëri thirrje për të votuar kundër kandidatit të VMRO-DPMNE-së në Kërçovë. E dyta, koalicionit VLEN dërgoi një kumtesë se nuk e mbështet Fatmir Deharin si kandidat për kryetar të komunës së Kërçovës. Por, ja edhe unë po u bëj thirrje shqiptarëve që janë në Kërçovë, por edhe banorëve të Kërçovës që do ta dëgjojnë këtë deklaratë, të mendojnë pas gjithçkaje që kemi dëgjuar, për njeriun që po i shantazhon mbesat dhe vajzat e tyre, nëse duhet të votojnë për të, dhe nëse ai është kandidati i denjë për kryetar të ardhshëm të Kërçovës. Dhe më vjen keq, që shoqatat e nënave dhe grave shqiptare nuk dolën me akuzë dhe me neveri të komentojnë atë që dëgjuan për këtë kandidat dhe i cili po përpiqet përsëri të jetë kryetari i komunës së Kërçovës", deklaroi Mickoski. 

LSDM-ja opozitare deri të mërkurën do të vendos me kë do të bëjë koalicion ose përkrah për rrethin e dytë, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, nga shtabi i partisë në komunën e Aerodromit, prej ku porositi se kandidati i tyre, Aleksandar Trajanovski hyn në rrethin e dytë me përkrahje të fuqishme dhe vizion të qartë për komunën.

"Gjatë javës së kaluar kemi bërë analiza të hollësishme të votave dhe në pajtim me këtë e definuam strategjinë për paraqitje në rrethin e dytë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Aerodromit të dalin në numër edhe më të madh dhe ta japin votën e tyre për Trajanovskin, i cili tregoi se ka kapacitet ta udhëheq komunën", tha Filipçe.

Sipas Filipçes, karakteri multietnik i shtetit dhe marrëdhëniet e mirë ndëretnike duhet të mbeten prioritet.

"Do të bisedojmë me të gjithë faktorët politikë, jo vetëm për Kërçovën dhe Bërvenicën, por edhe për Shkupin, Karposhin, Kumanovën. Vendimi nuk do të bazohet në përkatësinë etnike, por në karakteristikat e organizatave lokale dhe disponimin e anëtarëve tanë", tha Filipçe. 

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR