• e hënë, 23 dhjetor 2024

Edhe krahas kundërshtimit të Kuintit dhe NATO-s, Kurti insiston: Ura në Mitrovicë patjetër të hapet

Edhe krahas kundërshtimit të Kuintit dhe NATO-s, Kurti insiston: Ura në Mitrovicë patjetër të hapet

Prishtinë, 2 gusht 2024 (MIA) - Edhe pse vendet e të ashtuquajturit grupi Kuinti dhe NATO-s nuk mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës mbi lumin Ibër, i cili lidh dy pjesët e qytetit të ndarë Mitrovica - atë jugore të banuar me shumicë shqiptare dhe atë veriore me shumicë serbe, kryeministri i Kosovës Albin Kurti insiston që ura të hapet, përveç për këmbësorë, siç është për momentin, edhe për qarkullim të automjeteve, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Pas takimit me ambasadorët e grupit Kuinti, të cilin e përbëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe, Kurti tha se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e kërcënojnë paqen dhe sigurinë në vend.

"Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se 'riviitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim'. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi", thuhet në kumtesën e shërbimit qeveritar për informim.

Kurti para diplomatëve perëndimorë prezantoi planin e Qeverisë për hapjen e urës në Ibër, e cila, sipas tij, parashikon teste për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje për të gjithë, diskutime me qytetarët dhe grupet e interesit, si dhe një fushatë gjithëpërfshirëse informative për përfitimet dhe objektivat nga hapja e urës.

Kryeministri i Kosovës ka shtuar se Qeveria është e përkushtuar në lëvizjen e lirë, ndërsa ura mbi Ibër është simbol i saj.

"Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë. Qeveria është edhe për lëvizje të lirë edhe për integrim të qytetarëve", tha Kurti, kumtoi Kabineti i tij.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Xhefri Hovenier, deklaroi se vendet e Kuintit, në konsultim me NATO-n, aktualisht nuk mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës mbi lumin Ibër.

"Ne, përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, SHBA-së, së bashku me ambasadorin e BE-së në Prishtinë, u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund të mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës në Mitrovicë", tha Hovenier. bsh/

 

QËNDRONI TË LIDHUR