Edhe 42 persona, përfshirë edhe kryebashkiakun e Bejoglut, janë arrestuar në një hetim për korrupsion në bashkinë e Stambollit
- Edhe 42 persona, përfshirë kryebashkiakun e Bejoglut të Stambollit, Inan Gynej, u arrestuan këtë mëngjes në një hetim për korrupsion në bashkinë e Stambollit, në të cilin janë arrestuar gjithashtu kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, dhe disa funksionarë të tjerë të lartë nga Partia Popullore Republikane (CHP), partia kryesore opozitare, më 19 mars, njoftoi TRT Haber.
- Post By Qefsere Abduli
- 10:40, 15 gusht, 2025
Stamboll, 15 gusht 2025 (MIA) - Edhe 42 persona, përfshirë kryebashkiakun e Bejoglut të Stambollit, Inan Gynej, u arrestuan këtë mëngjes në një hetim për korrupsion në bashkinë e Stambollit, në të cilin janë arrestuar gjithashtu kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, dhe disa funksionarë të tjerë të lartë nga Partia Popullore Republikane (CHP), partia kryesore opozitare, më 19 mars, njoftoi TRT Haber.
Sipas akuzës nga Prokuroria e Posaçme Publike e Stambollit, 35 persona janë të dyshuar në hetimin lidhur me mashtrime financiare në disa kompani bashkiake. Gjithashtu, nëntë persona të tjerë janë të dyshuar për lidhje me një organizatë kriminale të përfshirë në mashtrime përmes mediave sociale.
Prokuroria ka lëshuar urdhër për burgosjen e gjithsej 44 personave, ndërsa dy prej tyre ende janë në kërkim.
Pas arrestimeve të para në mars, autoritetet turke kryen disa operacione për arrestimin e punonjësve të Bashkisë së Stambollit dhe personave të lidhur me ta, duke rezultuar në ndalimin e 103 personave, ndërsa mbi 200 të tjerë janë nën masa të ndryshme arresti, raporton faqja e lajmeve "Haberler".
Ekrem Imamoglu, i cili konsiderohet si kundërshtari më i fortë i presidentit Rexhep Taip Erdogan, u arrestua më 19 mars nën akuzën për korrupsion. Më 23 mars, gjykata e vazhdoi paraburgimin e tij, ndërsa disa ditë më vonë, Këshilli i Bashkisë së Stambollit e largoi Imamoglunun nga detyra. Arrestimi i Imamoglut, i cili mohon akuzat, shkaktoi një valë protestash që u përshkruan si më të mëdha në Turqi që nga vitit 2013. qa/
Foto: Arkivi i EPA-s