• e diel, 22 dhjetor 2024

Dy mërgimtarë kosovarë dënohen për shkak të kërcënimeve ndaj deputetëve të opozitës

Dy mërgimtarë kosovarë dënohen për shkak të kërcënimeve ndaj deputetëve të opozitës

Prishtinë, 8 gusht 2023 (MIA) - Gjykata Themelore e Prishtinës në 24 orët e fundit ka dënuar dy mërgimtarë, për shkak të kërcënimeve ndaj dy deputetëve nga radhët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Me 2 mijë euro gjobë sot është dënuar i akuzuari Reshat Sadiku, mërgimtar me banim në Gjermani, për kanosjen e deputetit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti. Fillimisht Sadikut iu shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve, por me kërkesë të avokatit të tij dhe  me pëlqimin e Hotit, dënimi me burgim iu zëvendësua me dënim me gjobë, të cilën në afat prej 15 ditëve duhet ta paguajë në llogarinë e organizatës humanitare vendore.  

 Pas shpalljes së aktgjykimit, Hoti ka reaguar edhe në llogarinë e tij në Fejsbuk, ku ka drejtuar gishtin ka partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, të kryeministrit aktual Albin Kurtit për gjuhën e urrejtjes që përdoret nëpër rrjete sociale. 

“Gjuha e urrejtjes që po përdoret tash e shumë vite nëpër rrjete sociale dhe gjithandej është shqetësuese. Partia që tani është në pushtet për vite me radhë e ka ushqyer këtë gjuhë përçarëse, fyese, denigruese dhe kërcënuese", ka shkruar Hoti. 

Për të njëjtën vepër, me dënim me burg  prej gjashtë muajve, i cili mund të zëvendësohet me gjobë në vlerë prej pesë mijë euro,   Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar mërgimtarin nga Zvicra, Driton Malokun, i cili vitin e kaluar përmes telefonit i është kërcënuar deputetes nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliut. 

E pakënaqur nga aktgjykimi, Musliu paralajmëroi se do ta ankimojë vendimin e gjykatës së  shkallës së parë, të cilën i akuzuari e pranoi. 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR