• e hënë, 23 dhjetor 2024

Duda në Tiranë: Polonia mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Duda në Tiranë: Polonia mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Tiranë, 11 maj 2023 (MIA) - Presidenti polak Andzhej Duda, i cili është për vizitë zyrtare në Shqipëri, deklaroi se vendi i tij fuqishëm e mbështet anëtarësimin e Tiranës në Bashkimin Evropian.

Ai vlerësoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të jetë një nga prioritetet e Polonisë, kur ta ndërmerrë presidencën e BE-së në gjysmën e parë të vitit 2025. 

"Me mbështetjen e Polonisë, shpresoj që Shqipëria së shpejti do të jetë anëtare e BE-së dhe do të jemi së bashku në këtë familje të madhe. E kam publikuar edhe mbështetjen tonë, polake, për hapat e Shqipërisë për anëtarësim në BE. I tregova presidentit se me 1 maj kishim konferencë për shtyp me kryeministrin, ku qartë theksuam qasjen e presidencës polake brenda BE-së në gjysmën e parë të vitit 2025, qartë treguam se cilat janë prioritetet, mes të cilave përforcimi i marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Evropës, prioriteti i dytë do të jetë anëtarësimi i Ukrainës në BE, Moldavisë dhe vendeve nga Ballkani Perëndimor, mes të cilave edhe Shqipëria, e cila është në krye për sa i përket përmbushjes së kritereve", deklaroi Duda. 

Ai shtoi se është mbështetës i dyerve të hapura në BE dhe se i kupton shumë mirë sakrificat e Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare për zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme.

"Është shumë e qartë se këto reforma zbatohen, nuk dyshoj se Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së sa më shpejtë që mundet. Ky është interesi juaj, kjo është në interes të BE-së. E sigurova presidentin se e mbështesim këtë anëtarësim", theksoi ai në konferencën e përbashkët me homologun e tij Bajram Begaj. 

Presidenti Begaj shprehu falënderim për mbështetjen që Polonia ia ka dhënë Shqipërisë në rrugën drejt eurointegrimeve. 

Begaj përmendi edhe solidaritetin e Polonisë me shqiptarët në kohën kur vendi u godit nga tërmeti më 26 nëntor të vitit 2019. U përqëndrua edhe në bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha të ndryshme, si në turizëm, arsim dhe shkencë.

"Jam i nderuar të pres sot mikun tim Andzhej Duda së bashku me bashkëshorten e tij. Ne i përkushtuam vëmendje bashkëpunimit në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë, ku shpreha mirënjohjen time për mbështetjen që Polonia ofron. Më tej shpreha besimin se samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë në vjeshtë, do të ketë mbështetjen e plotë të Polonisë", tha ai.

Kjo është vizita e parë zyrtare e presidentit polak në Shqipëri pas 20 viteve. qa/bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR