• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Drejtuesit e Universitetit të Tetovës i vizituan hapësirat e reja të Fakultetit të Arteve

Drejtuesit e Universitetit të Tetovës i vizituan hapësirat e reja të Fakultetit të Arteve

Shkup, 6 nëntor 2023 (MIA) - Rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli, i shoqëruar nga kryetari i Senatit, Vullnet Ameti, e panë nga afër fazën përfundimtare të përgatitjeve në shtëpinë e Halim Beut, ku do të zhvillohet veprimtaria arsimore-shkencore e Fakultetit të Arteve, përkatësisht e Programit studimor të Artit muzikor.

Ky objekt, me vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut i është dhënë në shfrytëzim Universitetit të Tetovës. Rektori i Universitetit të Tetovës, Zejneli tha se, prej kohësh kanë qenë në koordinim me organet kompetente brenda qeverisë që ky objekt t’i kalojë në shfrytëzim Universitetit tonë.

Ndërsa, kryetari i Senatit, Ameti shprehu vlerësimet e tij që Fakulteti i Arteve, konkretisht Programi studimor i Artit Muzikor do ta realizojë veprimtarinë e tij në këtë objekt me vlera historike dhe kulturore.

Dekani i fakultetit të Arteve, Senad Abduli dhe stafi akademik i këtij fakulteti shprehën falënderimet dhe mirënjohjet e tyre për udhëheqësit e universitetit, që në planin e tyre të zgjerimit të infrastrukturës e kanë përfshirë edhe Fakultetin e Arteve, duke ia destinuar këtë objekt Programit studimor të Artit Muzikor.

"Universiteti i Tetovës vazhdon të investojë në përmirësimin dhe zhvillimin e infrastrukturës arsimore, duke bërë gjithmonë përpjekje për t'u ofruar studentëve kushtet më optimale të nevojshme për konsolidimin e njohurive dhe aftësive të tyre. Shtëpia e Halim Beut është ndërtuar nga Halim Deralla, i biri i Mehmet Pashë Derallës, në vitin 1929. Shtëpia është ndërtuar në stilin neobarok, por në organizimin e hapësirës ende ruan ndarjen tradicionale të jetës private dhe publike", theksohet në kumtesën e UT-së. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR