• e hënë, 23 dhjetor 2024

Drejtori i BIA-s, Aleksandër Vulin, u vendos në listën e sanksioneve amerikane

Drejtori i BIA-s, Aleksandër Vulin, u vendos në listën e sanksioneve amerikane

Beograd, 11 korrik 2023 (MIA) - Aleksandar Vulin, drejtori i Agjencisë Serbe për Siguri dhe Informim (BIA) është vendosur në listën e sanksioneve të Ministrisë së Financave të SHBA-së, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Deklarata e mëposhtme është publikuar në faqen e OFAC më 11 korrik, raporton Danas i Beogradit.

"Zyra për Kontroll të Pronës së Huaj në Ministrinë e Financave të SHBA-së (OFAC) sanksionoi sot një individ në Serbi në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv (E.O.) 14033. Emërimi i Aleksander Vulin (Vulin) nënvizon vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbajtur përgjegjës ata që janë të përfshirë në afera korruptive që avancojnë agjendat e tyre politike dhe interesat personale në dëm të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Këto praktika korruptive lehtësojnë aktivitetet dashakeqe të Rusisë në Serbi dhe në rajon.

"Ministria e Financave nuk do të ngurrojë të synojë aktorët që keqpërdorin pozitat e tyre për përfitime personale duke minuar qeverisjen efektive dhe demokratike në Ballkanin Perëndimor", tha nënsekretari për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare në Ministrinë e Financave" , Brajan E. Nelson.

"Me veprimin e sotëm, Aleksandar Vulin është përgjegjës për veprimet e tij korruptive dhe destabilizuese që mundësuan aktivitetet dashakeqe të Rusisë në rajon.

Aleksandar Vulin është i përfshirë në krimin e organizuar transnacional, operacione të paligjshme droge dhe keqpërdorim me postet publike.

Vulin mbajti një marrëdhënie reciproke të dobishme me tregtarin serb të armëve Slobodan Teshiq, duke ndihmuar dërgesat e paligjshme të armëve të Teshiqit të lëviznin lirshëm nëpër kufijtë e Serbisë.

Veprimet e Vulin promovuan korrupsionin në institucionet qeveritare në Serbi. Këto akte përfshijnë përdorimin e autoritetit të tij për përfitime personale, duke përfshirë përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës. Ai ka përdorur pozicionet e tij publike për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar aktivitetet malinje ruse që degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe duke i ofruar Rusisë një platformë për ndikim të mëtejshëm në rajon.

Vulin është drejtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë (BIA) ndërsa paraprakisht ishte ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Punëve të Brendshme.

Këto institucione nuk janë objektivi i këtyre sanksioneve.

Si rezultat i veprimit të sotëm, të gjitha pasuritë dhe interesat në pronën e personit të përshkruar më sipër, të vendosura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose në pronësi ose të kontrolluara nga persona amerikanë janë ngrirë dhe duhet të raportohen në OFAC.

Për më tepër, institucionet financiare dhe personat e tjerë të përfshirë në transaksione ose aktivitete të caktuara me një person të penalizuar mund t'i nënshtrohen sanksioneve ose t'i nënshtrohen veprimeve detyruese, përfundon postimi në faqen e internetit të OFAC. sa/

foto: Beta

QËNDRONI TË LIDHUR