Dragi: BE-ja dhe NATO janë në qendër të politikës së jashtme italiane
- Post By Fami Bajrami
- 18:04, 20 tetor, 2022
Romë, 20 tetor 2022 (MIA) - Anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO janë themelet e politikës së jashtme italiane, tha sot kryeministri italian në largim Mario Dragi, para formimit të qeverisë së re të djathtë.
"Ne ndajmë plotësisht vlerat evropiane dhe transatlantike dhe duam të vazhdojmë t'i mbrojmë dhe forcojmë ato", u tha Dragi diplomatëve italianë në Bruksel.
“Këto parime janë edhe më të rëndësishme në krizat që po kalojmë, nga lufta në Ukrainë te kriza energjetike", shtoi Dragi.
Komentet e tij erdhën pasi Silvio Berluskoni, lideri i partisë Forca Italia, që pritet të hyjë në qeverinë e re italiane, e vlerësoi miqësinë e tij të gjatë me presidentin rus Vladimir Putin dhe e akuzoi Ukrainën për nxitjen e pushtimit të muajit shkurt.
Refuzimi i Berluskonit për ta fajësuar Putinin për luftën ngriti shqetësime se qeveria e re, e cila pritet të udhëhiqet nga liderja nacionaliste Xhorxha Meloni, mund ta dobësojë vendosmërinë e Perëndimit kundër Moskës.
Meloni të mërkurën tha se nuk do të lejonte që Italia të ishte hallka e dobët e Perëndimit, ndërsa politikani Antonio Tajani nga partia Forca Italia u përpoq të qetësonte aleatët nga qendra e djathtë në Bashkimin Evropian për pozicionin e politikës së jashtme të partisë së tij.
“Jam në Bruksel për të konfirmuar edhe një herë qëndrimin e Forca Italia, liderit të saj Silvio Berluskoni dhe mbështetjen e tij për NATO-n, marrëdhëniet transatlantike, Evropën dhe kundër pushtimit të papranueshëm të Ukrainës nga Rusia”, shkroi Tajani në Tuiter. qa/shk/