DPA: Rusia e kreu sulmin më të madh me fluturake pa pilot ndaj Ukrainës prej fillimit të luftës
- Ukraina e pësoi sulmin më të madh rus me fluturake pa pilot prej fillimit të invazionit në vitin 2022, tregon raporti i sotëm i ushtrisë ukrainase, lajmëroi DPA.
- Post By Arta Bunjaku
- 14:03, 18 maj, 2025

Kiev, 18 maj 2025 (MIA) - Ukraina e pësoi sulmin më të madh rus me fluturake pa pilot prej fillimit të invazionit në vitin 2022, tregon raporti i sotëm i ushtrisë ukrainase, lajmëroi DPA.
Forcat ajrore ukrainase sot në mëngjes kumtuan se Rusia gjatë natës ka lansuar gjithsej 273 fluturake pa pilot. Mediumet ukrainase sot theksojnë se ky numër e tejkaloi rekordin e mëparshëm prej 267 fluturakeve të lansuara pa pilot, që u regjistrua më 23 shkurt.
Në sulmet e mbrëmshme ëshë vrarë një grua në kryeqytetin Kiev, ndërsa tre të tjerë u lënduan, përfshirë edhe një fëmijë katërvjeçar, kumtuan autoritetet.
Rajonet Dnjepropetrovsk dhe Donjeck, gjithashtu, ishin cak i sulmeve gjatë natës, transmetoi agjencia gjermane.
Ushtria ukrainase sot kumtoi se ka rrëzuar 88 fluturake pa pilot, përderisa 128 të tjera nuk arritën drejt caqeve të veta. Ushtria nuk zbuloi hollësi për dëmin potencial apo vendet specifike të goditjeve, në pajtim me protokollin e zakonshëm.
Këto numra nuk mund të konfirmoheshin në mënyrë të pavarur.
Sulmi ndodhi vetëm dy ditë pasi që Rusia dhe Ukraina i mbajtën negociatat e veta të drejtpërdrejta prej vitit 2022 në Stamboll. Edhe krahas asaj që u dakordua për këmbim të të burgosurve dhe negociata të mëtutjeshme për ndërprerje të zjarrit, Moska i hodhi poshtë thirrjet nga Ukraina, SHBA-ja dhe aleatët evropianë për ndërprerje të armiqësive para se të arrihet një marrëveshje më e gjerë.
Presidenti amerikan, Donald Tramp mbrëmë deklaroi se planifikon të hënën të bisedojë në telefon me presidentin rus, Vlladimir Putin, në tentim për t'i nxitur bisedimet, përkujton DPA. ab/
Foto: МIА arkivi