• e shtunë, 23 nëntor 2024

Dogana ka konfiskuar rroba, puro dhe cigare

Dogana ka konfiskuar rroba, puro dhe cigare

Shkup, 30 korrik 2024 (MIA) - Doganierët kanë parandaluar një tentativë për kontrabandimin e 413 copëve me rroba, 100 puro, 69 pako cigare, kumtuan sot nga Drejtoria e doganës.

Gjatë javës së kaluar, përveç konfiskimit të 30.000 eurove në vendkalimin kufitar "Bogorodicë", orëve të dorës në Aeroportin e Shkupit, 6.800 euro në vendkalimin kufitar "Tabanoc", për të cilat tashmë kemi informuar, doganierët kanë parandaluar përpjekjet për kontrabandim të cigareve, purove dhe rrobave, thonë nga Drejtoria e doganës.

Gjashtëdhjetë e nëntë pako cigare pa pulla akcize të brendit "karelia", "ome" dhe "parliament aqua blue" janë zbuluar në Aeroportin ndërkombëtar - Shkup, gjatë kontrollit të bagazhit të një shtetasi të Maqedonisë i cili ka pasur për qëllim të udhëtojë me aeroplan për në Londër.

"Pas përfundimit të kontrollit, pasagjeri është drejtuar për në doganë, kontroll të pasaportës dhe kontroll të sigurisë në dalje, pa paraqitur apo deklaruar asgjë. Por gjatë kontrollit në valixhen e tij, doganierët gjetën 69 pako cigare të padeklaruara pa pulla akcize. Cigaret janë mbajtur përkohësisht, ndërsa kundër pasagjerit është iniciuar procedurë përkatëse", thonë nga Drejtoria e doganës.

Njëqind puro të llojit "cohiba", "bolivar", "trinidad" dhe "montecristo", janë zbuluar nga ekipet mobile doganore, gjatë kontrollit të një autobusi me targa të huaja në pikën kufitare "Deve Bair" në hyrje të vendit.

Gjatë kontrollit të autobusit, pas sediljes së drejtuesit të automjetit në thasë me ushqime dhe në një çantë, janë gjetur 100 puro të padeklaruara. Malli është mbajtur, ndërsa kundër personit është iniciuar procedurë përkatëse, thuhet në kumtesë.

Gjithsej 413 copë rrobash – fustane, pantallona për femra, bluza dhe këmisha janë gjetur në hyrje të vendit në vendkalimin kufitar “Tabanoc” gjatë kontrollit të autobusit me targa të Maqedonisë.

“Në pyetjen e nëpunësit të doganës nëse ka diçka për të paraqitur, shoferi i autobusit ka deklaruar se nuk ka asgjë për të paraqitur. Gjatë kontrollit të autobusit, malli i padeklaruar është gjetur në gomën e pasme dhe në hapësirën e bagazhit ndërmjet çantave dhe valixheve të pasagjerëve, të mbështjellë me qese najloni dhe thasë me shirit ngjitës", thuhet në kumtesë.

Produktet e tekstilit janë ndalur përkohësisht, ndërsa ndaj drejtuesit të automjetit është ngritur procedurë kundërvajtëse.

Foto: Drejtoria e doganës

 

QËNDRONI TË LIDHUR