• e enjte, 04 dhjetor 2025

Diplomati amerikan Stiv Fejgan emërohet kreu civil i organit për mbikëqyrje të armëpushimit në Gazë

Diplomati amerikan Stiv Fejgan emërohet kreu civil i organit për mbikëqyrje të armëpushimit në Gazë

Kirjat Gat, 24 tetor 2025 (MIA) - SHBA-ja sot e mëroi diplomatin me përvojë në karrierë, Stiv Fejgan, si kreun civil të organit të ngarkuar për mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës, i cili duhet të lehtësojë arritjen e një fundi të qëndrueshëm të konfliktit.

Departamenti i Shtetit njoftoi se diplomati Stiv Fejgan do t'i bashkohet gjeneralit Patrik Frank, kreut ushtarak të atij organi, i cili ka punuar që nga 10 tetori për të zbatuar armëpushimin midis Izraelit dhe lëvizjes islamiste Hamas.

Qendra e koordinimit civilo-ushtarak, organi që do të mbikëqyrë armëpushimin e udhëhequr nga SHBA-ja, u krijua këtë javë në Kirjat Gat, në Izraelin jugperëndimor, me detyrën për monitorim të armëpushimit dhe regjistrimit të çdo shkeljeje.

Qendra supozohet gjithashtu të mbikëqyrë shpërndarjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta.

Rreth 200 ushtarë amerikanë janë dërguar në Kirjat Gat, ku do të punojnë me ushtarë nga Izraeli dhe vendet evropiane, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania, si dhe me personelin e OKB-së dhe organizatat humanitare.

Sekretari shtetëror amerikan Marko Rubio, vizitoi sot qendrën që ndodhet në afërsi të Gazës dhe e quajti përpjekjen "historike".

"Ka pasur ulje-ngritje, kthesa të ndryshme, por mendoj se kemi shumë arsye për të qenë mjaft optimistë për progresin që është bërë", tha Rubio.

Fegan ka qenë ambasadori i SHBA-së në Jemen që nga viti 2022, ku ai menaxhoi marrëdhëniet gjatë një periudhe të trazuar kur SHBA-ja bombardoi kryengritësit huthë të Jemenit, të cilët qëlluan rregullisht me raketa Izraelin në solidaritet me palestinezët në Gazë.

Deri vonë, ai ishte diplomati më i lartë amerikan në Bagdad për tre muaj, megjithëse ishte edhe ambasador në Jemen, një pozicion për të cilin ai ndodhej më shpesh në Arabinë Saudite. ls/

Foto: Misioni i SHBA-së në Jemen 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR