Diplomatët e lartë nga vendet perëndimore dhe Lindjes së Mesme takohen me homologun e ri sirian në Riad
- Ministrat për Punë të Jashtme dhe diplomatët e lartë nga vendet perëndimore dhe Lindjes së Mesme sot tubohen në kryeqytetin saudit Riad me ministrin e ri të jashtëm sirian në një takim të parë rajonal kësisoj për Sirinë që nga përmbysja e presidentit Bashar al Asad, muajin e kaluar.
- Post By Fami Bajrami
- 14:09, 12 janar, 2025

Riad, 12 janar 2025 (MIA) - Ministrat për Punë të Jashtme dhe diplomatët e lartë nga vendet perëndimore dhe Lindjes së Mesme sot tubohen në kryeqytetin saudit Riad me ministrin e ri të jashtëm sirian në një takim të parë rajonal kësisoj për Sirinë që nga përmbysja e presidentit Bashar al Asad, muajin e kaluar.
Shefja e diplomacisë gjermane, Analena Berbok këtë mëngjes arriti në Riad përpara një takimi me homologun e ri sirian, Asad Hasan Al Shibani. Pritet që në bisedimet të përfshihet edhe shefi i diplomacisë britanike Dejvid Lami, theksohet në deklaratën e Ministrisë për Punë të Jashtme të Britanisë.
Në takimin e sotëm në Riad janë të pranishëm ministrat e jashtëm të Arabisë Saudite, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Bahreinit, Irakut, Jordanisë, Libanit dhe Turqisë, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.
Pritet që të marrin pjesë edhe zyrtarë të tjerë të lartë arabë dhe perëndimorë.
Asad u rrëzua nga froni gjatë një ofensivë të rebelëve më 8 dhjetor, ndërsa rebelët islamikë të udhëhequr nga grupi militant Hajat Tahrir al-Sham (HTS) vendosën një qeveri të përkohshme që emëroi Shibanin si ministër të Punëve të Jashtme.
"Diskutimet në Riad do të udhëhiqen nga arabët dhe do të fokusohen në hapat e ardhshëm që bashkësia ndërkombëtare mund t'i ndërmarrë për të mbështetur autoritetet e përkohshme siriane, duke përfshirë mekanizmat për të mbajtur përgjegjës regjimin e Asadit për krimet e luftës të kryera kundër popullit sirian", thuhet në një deklaratë të MPJ-së britanike.
Takimi është i pari që përfshin sundimtarët e rinj të Sirisë dhe zyrtarët më të lartë perëndimorë, ndërsa do të udhëhiqet nga Arabia Saudite.
Konferenca e sotme vjen në një kohë kur administrata e re siriane po kërkon heqjen e sanksioneve perëndimore për të lejuar hyrjen e parave nga fondet ndërkombëtare në Damask.
Ditëve të fundit, Gjermania, Italia dhe Franca kanë bërë presion për një lehtësim të sanksioneve të BE-së ndaj Sirisë, por vendimi përfundimtar mund të vijë vetëm nga i gjithë blloku.
Foto: EPA