Diplomacia botërore në Nju Jork nën vëzhgim, masat e sigurisë janë shtrënguar për Sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së
- Nju Jorku është nën nivelin më të lartë të masave të sigurisë të vitit këtë javë, për shkak të mbajtjes së Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Nju-Jork, 24 shtator 2025 (MIA) – Nju Jorku është nën nivelin më të lartë të masave të sigurisë të vitit këtë javë, për shkak të mbajtjes së Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Siç njoftoi raportuesi i MIA-s, mbi 140 liderë botërorë, delegacione dhe diplomatë janë të pranishëm në qytet, gjë që ka aktivizuar të gjithë infrastrukturën e sigurisë në nivel federal, shtetëror dhe lokal.
Sesioni klasifikohet si një ngjarje me rrezik të lartë kombëtar.

Në afërsi të selisë së OKB-së në Manhetanin Lindor, janë vendosir "zona të ngrira" me një ndalim të plotë ose të pjesshëm të lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve, ndërsa qielli mbi qytet është nën kufizime të rrepta ajrore, përfshirë ndalimin e dronëve.
Gjithashtu ka kontrolle të përforcuara në stacionin e metrosë dhe në zonën e portit, ku siguria është nën mbikëqyrjen e njësive portuale dhe lëvizja e mjeteve lundruese është e kufizuar.
Janë vendosur edhe njësitë e qenve, ekipe për zbulim të eksplozivit dhe mijëra polic, ndërsa dhe shërbimet e sigurisë po zbatojnë gjithashtu masa të fshehta për të monitoruar kërcënimet e mundshme, duke përfshirë sulmet kibernetike.
Në kompleksin e OKB-së ka mbi 1.400 kamera sigurie dhe vazhdimisht ndiqen video-incizime.

Edhe pse masat po krijojnë probleme me trafikun dhe mbyllje rrugësh, autoritetet po bëjnë thirrje për durim dhe bashkëpunim, duke theksuar se siguria e qytetit dhe e mysafirëve ndërkombëtarë është një përparësi absolute.
"Siguria e liderëve botërorë dhe bashkëqytetarëve tanë është përparësia jonë absolute. Jam mirënjohës për të gjitha agjencitë që punojnë 24/7 për të siguruar që Nju Jorku të jetë i sigurt", deklaroi kryetari Erik Adams.
Edhe pse qyteti vepron në një regjim specifik, Nju Jorku vazhdon të mbajë epitetin e kryeqytetit diplomatik të botës, këtë herë me një ritëm të intensifikuar, rrugë të bllokuara dhe mijëra njerëz që ndjekin me kujdes gjithçka që po ndodh. ls/
Foto: MIA