• e hënë, 23 dhjetor 2024

Diaspora e Kosovës i ka dërguar mbi një miliard euro në vend vitin e kaluar

Diaspora e Kosovës i ka dërguar mbi një miliard euro në vend vitin e kaluar

Prishtinë, 23 korrik 2023 (MIA) - Qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në vendet e Evropës Perëndimore dhe vendet përtej oqeaneve vitin e kaluar i kanë dërguar 1.2 miliardë euro në Kosovë, gjegjësisht për gjashtë për qind më shumë se në vitin 2021, raporton korrenspondenti i MIA-s nga Prishtina.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), përveç remitencave, në hapjen e vendeve të reja të punës ka kontribuar edhe diaspora duke hapur biznese.

Llogaritjet e BQK-së thonë se, përmes remitancave, investimeve dhe turizmit, vlera e kontributit të diasporës në vitin 2022 për Kosovën arriti në 3.6 miliardë euro, që është mbi 40 për qind e Bruto Prodhimit Vendor (BPV).

"Vetëm në vitin 2022, diaspora i dërgoi 1.2 miliardë euro, ose gjashtë për qind më shumë krahasuar me vitin paraprak. Remitancat janë karakterizuar me rritje të qëndrueshme ndër vite dhe janë burim i sigurt i të ardhurave për shumë familje kosovare. Sa i përket investimeve, diaspora po investon në biznese në Kosovë, duke kontribuar në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës", thuhet në raport.

Megjithatë, investimi në patundshmëri është forma kryesore e investimit nga diaspora, duke arritur një vlerë prej 523.7 milionë euro vetëm në vitin 2022.

Sa i përket turizmit, si rezultat i lidhjeve të ngushta familjare, si në aspektin kulturor ashtu edhe ekonomik, diaspora e viziton Kosovën disa herë gjatë vitit, me fokus në tremujorin e tretë të çdo viti, duke kontribuar kështu në rritjen e industrisë së turizmit përmes shpenzimit të parave në hotele, restorante dhe biznese lokale.

Në vitin 2022, rritja e numrit tё vizitorëve nga diaspora u shoqërua me rritje të shpenzimeve të tyre në Kosovë, vlerë që arriti në rreth 1.9 miliardë euro; Pesha që ka diaspora në aktivitetin e gjeneruar në vend, vlerësuar përmes burimeve të rëndësishme të financimit të konsumit dhe investimeve si remitencat, investimet dhe turizmi, arriti vlerën prej 3.6 miliardё euro në vitin 2022, që korrespondon me 40.4 pёrqind të BPV-së. qa

 

QËNDRONI TË LIDHUR