Dhjetëra mijëra demonstrantë në Brazil protestuan kundër ligjit të propozuar për amnisti për Bolsonaron
- Dhjetëra mijëra demonstrantë dolën në rrugë në disa qytete braziliane për ta kundërshtuar ligjin e propozuar për amnisti që mund t'i sjellë dobi ish presidentit Zhair Bonsonaro.
- Post By Sara Ademi
- 08:25, 22 shtator, 2025
Rio de Zhanejro, 22 shtator 2025 (MIA) - Dhjetëra mijëra demonstrantë dolën në rrugë në disa qytete braziliane për ta kundërshtuar ligjin e propozuar për amnisti që mund t'i sjellë dobi ish presidentit Zhair Bonsonaro.
Më 11 shtator, 70-të vjeçari Bolsonaro u dënua me më shumë se 27 vjet burg për përpjekje për grusht shtet pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2022.
Sipas vlerësimeve të mediave lokale, më shumë se 40.000 njerëz kanë marrë pjesë në protestat në qytetet e mëdha Sao Paolo dhe Rio de Zhanejro. Demonstratës në plazhin Kopakabana në Rio, iu bashkuan edhe muzikantët e njohur brazilian Kaetano Veloso, Gilberto Gil dhe Çiko Buarke, transmeton DPA.
Ish presidenti i djathtë aktualisht është në arrest shtëpiak. Ekipi i tij ligjor njoftoi se do ta apelojë vendimin. Në të njëjtën kohë, mbështetësit e Bolsonaros, në Kuvend bëjnë përpjekje ta përshpejtojnë miratimin e ligjit për amnisti që mund t'i sjellë dobi atij dhe mbështetësve të tij.
Më 8 janar të vitit 2023, mbështetësit e Bolsonaros hynë në Kongresin, Gjykatën Federale Supreme dhe pallatin presidencial në Brazilia. Edhe pse ish presidenti atë ditë ishte në SHBA, Gjykata Federale Supreme e Brazilit e konsideronte si përgjegjës indirekt për ngjarjet. Avokatët e tij mohuan akuzat gjatë gjithë procesit.
Brazili mbetet thellësisht i polarizuar midis mbështetësve të presidentit të majtë Luiz Inasio Lula da Silva dhe atyre të paraardhësit të tij të krahut të djathtë, Bolsonaro. Disa i shohin procedurat penale si të motivuara politikisht, ndërsa të tjerë i shohin ato si një demonstrim të pushtetit institucional.
Ekspertët paralajmëruan se javët pas gjykimit të Bolsonaros mund të shënohen me protesta. sa/
Foto: EPA