• e hënë, 23 dhjetor 2024

Deputetët të mërkurën kthehen në punë

Deputetët të mërkurën kthehen në punë

Shkup, 18 prill 2023 (MIA) - Pas festave të Pashkëve, deputetët të mërkurën duhet të kthehen në detyrë. Seanca e parë plenare, sipas ueb-faqes së Kuvendit është caktuar për më 19 prill, ndërsa deri në fund të muajit ka caktuar vetëm edhe një seancë më 27 prill, e cila i dedikohet pyetjeve të deputetëve.

Në rend dite të seancës së 111-të, e cila duhet të mbahet të mërkurën, janë 33 pika, mes të cilave propozim-vendime për ndryshime të vendimeve për zgjedhje të kryetarit dhe anëtarëve të komisioneve të Kuvendit, Komisionit për zgjedhje dhe emërime, Komitetit për marrëdhënie mes komuniteteve dhe Këshillit nacional për eurointegrime.

Deputetët duhet t'i shqyrtojnë edhe Propozim-plotësimet e Ligjit për automjete, Propozim-ndryshimet e Ligjit për Drejtorinë për të ardhura publike dhe Ligjin për interoperabilitet në sistemin hekurudhor.

Në këtë seancë plenare janë edhe Propozim-ndryshimet e Kodit zgjedhor, të parashtruara nga "E Majta", si dhe dy propozim-ndryshimet e Ligjit për shujtë të subvencionuar për studentët, nga të cilat disa të parashtruara nga deputetët e LSDM-së, ndërsa tjerat nga deputetët e VMRO-DPMNE-së. mb/

Foto: Arkivi i MIA-s.

QËNDRONI TË LIDHUR