Deputetët e PD-së shqiptare nesër do të protestojnë para Parlamentit Evropian
- – Pas protestave në Shqipëri dhe kaosit të shkaktuar dhe dhunës në Parlamentin e Shqipërisë, nesër deputetët e opozitës shqiptare do të protestojnë para Parlamentit Evropian në Strasburg, të njëjtën ditë kur PE debaton në seancë plenare, njoftuan mediat.
- Post By Fitore Curri
- 21:46, 22 tetor, 2024
Tiranë, 22 tetor 2024 (MIA) – Pas protestave në Shqipëri dhe kaosit të shkaktuar dhe dhunës në Parlamentin e Shqipërisë, nesër deputetët e opozitës shqiptare do të protestojnë para Parlamentit Evropian në Strasburg, të njëjtën ditë kur PE debaton në seancë plenare, njoftuan mediat.
Sipas burimeve të partisë me shpenzimet e tyre do të udhëtojnë të paktën 30 deputetë, të cilët pritet të ndahen në dy grupe.
Njëri grup i deputetëve do të hyjë në Parlamentin Evropian në takime me eurodeputetët në të cilat do t’i informojnë për situatën me opozitën në Shqipëri, ndërsa grupi tjetër do të jetë në protestë para Parlamentit Evropian me pankarte në duar.
“Kjo është hera e parë, që deputetët shqiptarë organizohen për të protestuar para Parlamentit Evropian. Kjo lëvizje e Partisë Demokratike vjen pas skenarëve të kaosit në Kuvend dhe protestës së dhunshme të 7 tetorit, aksione që u ndërmorën nga PD fill pas dënimit të Ervin Salinajit me 1 vit burg për kallëzim të rremë në dosjen ‘Babale’”, bëjnë të ditur mediat shqiptare.
Deputetët e opozitës do ta dërgojnë kërkesën për qeveri teknike, lirimin e Salinajit dhe heqjen e masës arrest shtëpiak për Sali Berishën, për të cilët vlerësojnë se janë të padrejtë dhe të motivuar politikisht. fc/