• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Departamenti i Shtetit: SHBA-ja thellësisht e zhgënjyer nga vendimi për ndalimin e dinarit, Prishtina të shtyjë zbatimin

Departamenti i Shtetit: SHBA-ja thellësisht e zhgënjyer nga vendimi për ndalimin e dinarit, Prishtina të shtyjë zbatimin

Uashington, 1 shkurt 2024 (MIA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë thellësisht të zhgënjyera dhe kundërshtojnë planin e Kosovës për vazhdimin e zbatimit të vendimit për ndalimin e përdorimit të valutave të huaja, përfshirë edhe dinarin serb, kumtoi sonte Departamenti i Shtetit.

“Ne përsëri bëjmë thirrje që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të zbatohen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë mjaftueshëm e informuar për mënyrën se si do të kryhet tranzicioni”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit në kumtesën e dorëzuar deri te agjencia Beta.

Theksohet se vendimi është shpallur “pa përgatitje dhe konsultim të duhur” dhe se SHBA-ja ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës “të shpjegojnë se çfarë problemi do të zgjidhet me atë rregullore dhe nëse ka nevojë për urgjencë”.

“Nuk dëgjuam përgjigje adekuate. Shumë qytetarë të Kosovës tani nuk e dinë se si do t'i paguajnë faturat apo do t'i marrin pensionet”, shton zëdhënësi. Ai gjithashtu deklaroi se "ky veprim bie gjithashtu në kundërshtim me vendosmërinë e Kosovës për të punuar përmes dialogut nën patronazhin e BE-së për të zgjidhur çështjet që ndikojnë në mirëqenien e komunitetit të pakicës serbe".

"Qeverisja e mirë dhe partneriteti i mirë ndërkombëtar kërkojnë kohë për të vlerësuar pasojat, për të shqyrtuar perspektivat dhe për t'u konsultuar me të tjerët për një zgjidhje të mundshme. Pasojat e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme kufizojnë mundësitë e SHBA-së si përfaqësuese e Kosovës në arenën ndërkombëtare”. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR