Departamenti i shtetit dënoi përkeqësimin e të drejtave të njeriut në Evropë
- SHBA dënon "përkeqësimin" e të drejtave të njeriut në një numër të madh të vendeve evropiane, veçanërisht për shkak të kufizimeve të lirisë së shprehjes, citohet në raportin e ri vjetor të Departamentit të shtetit të publikuar dje.
- Post By Sara Ademi
- 08:06, 13 gusht, 2025
Uashington, 13 gusht 2025 (MIA) - SHBA dënon "përkeqësimin" e të drejtave të njeriut në një numër të madh të vendeve evropiane, veçanërisht për shkak të kufizimeve të lirisë së shprehjes, citohet në raportin e ri vjetor të Departamentit të shtetit të publikuar dje.
Departamenti i shtetit beson se "situata me të drejtat e njeriut" gjatë vitit 2024 është përkeqësuar në Gjermani, Britani të Madhe dhe Francë, citohet në raportin që reflekton prioritetet e reja të politikës së jashtme amerikane nën udhëheqësinë e presidentit Donald Tramp.
Në pjesën për Francën raporti për gjendjen me të drejtat e njeriut flet për "informata të besueshme që tregojnë kufizime serioze të lirisë së shprehjes". Departamenti i shtetit, gjithashtu, dënon rritjen e antisemitizmit në Francë, publikuan mediat franceze.
Uashingtoni kritikon ligjin e ri për sigurinë e internetit në Britani të Madhe. Qëllimi i kësaj mase është mbrojtja më e mirë e fëmijëve, por ka hasur në kritika të shumta në platformën X të Ilon Mask.
Një zyrtar i lartë amerikan tha javën e kaluar, duke folur në kushte anonimiteti, se qeveria amerikane planifikon të zhvillojë "diskutime të hapura me partnerët dhe aleatët" rreth asaj që Uashingtoni e quan "censurë ose disavantazh i zërave të caktuar", qofshin politikë apo fetarë.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, Xh.D. Vens, aludoi për këtë dimension të politikës së jashtme të administratës së re në shkurt, kur, në një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih, paralajmëroi për kërcënime të supozuara ndaj lirisë së shprehjes në Evropë.
Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit zakonisht publikohet në pranverë dhe tregon se si SHBA e sheh gjendjen e të drejtave të njeriut në të gjithë botën. Por raporti i këtij viti u shkrua pjesërisht gjatë administratës së mëparshme demokrate të Xho Bajden, duke e shtyrë departamentin ta rishikojë dhe ristrukturojë atë për të reflektuar prioritetet e administratës së Trampit. sa/
foto: MIA