• e premte, 05 dhjetor 2025

Delegacioni rus ka mbërritur në Stamboll për raundin e ri të bisedimeve me Ukrainën

Delegacioni rus ka mbërritur në Stamboll për raundin e ri të bisedimeve me Ukrainën

Stamboll, 23 korrik 2025 (MIA) - Një delegacion rus i udhëhequr nga Vladimir Medinski, ndihmës i presidentit rus Vladimir Putin, ka mbërritur në Stamboll, ku sonte do të mbahet raundi i tretë i negociatave me Ukrainën, raportojnë agjencitë ruse të lajmeve.

Delegacioni përfshin zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Mihail Galuzhin, shefin e Drejtorisë kryesore të Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë ruse Igor Kostjukov dhe zëvendësministrin e Mbrojtjes, Aleksander Fomin.

Delegacioni ukrainas është zgjeruar nga 12 në 14 anëtarë dhe tani përfshin përfaqësues të Zyrës së Avokatit të Popullit dhe Shtabit të përgjithshëm të Forcave të armatosura të Ukrainës, raporton Vedomosti.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha se takimi do të shqyrtojë draft-memorandumet që të dyja palët shkëmbyen në raundin e mëparshëm. Do të diskutohet edhe vazhdimi i shkëmbimit të të burgosurve të luftës.

Presidenti ukrainas Volodymir Zelenski deklaroi se delegacioni do të këmbëngulë në temat e kthimit të të burgosurve të luftës dhe fëmijëve ukrainas të transferuar në territorin e Rusisë, si dhe në përgatitjen e një takimi të mundshëm midis tij dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Sipas informacioneve paraprake, negociatat do të zhvillohen në Pallatin Çiragan në Stamboll.

Delegacioni ukrainas, i udhëhequr nga sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, ndodhet aktualisht në Ankara, ku negociatorët ukrainas u takuan me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan.

Bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës janë planifikuar për në orën 19:00. mb/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR