• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Debati për Ligjin për rrogën minimale vazhdon nesër

Debati për Ligjin për rrogën minimale vazhdon nesër
Shkup, 21 shkurt 2022 (MIA) - Kuvendi sot pasdite debatoi për Propozimin e ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për rrogën minimale, me të cilin rroga minimale do të jetë 18.000 denarë. Debati rreth këtij Propozim ligji vazhdon nesër në orën 12:00. Deputetët nga partitë opozitare në foltore të Kuvendit theksuan se ndjejnë keqardhje që shumica nuk i ka pranuar amandamentet e tyre për përmirësim të tekstit të ligjit dhe për rritjen graduale në sektorin publik dhe privat. Për deputetët nga shumica në pushtet, ky ligj është me rëndësi të madhe, siç cekën, me të cilin u dilet në ndihmë të drejtave të punëtorëve dhe avancimit të tyre. Deputetja e LSDM-së, Zhaklina Llazarevska nga foltorja e Kuvendit theksoi se ky ligj i propozuar e rregullon edhe ndihmën financiare për pagesë dhe kontroll në realizimin e ndihmës financiare për punëdhënësit, kriteret si ndërmarrjet të shfrytëzojnë subvencione, prej 1.197 denarë dhe i obligojnë ndërmarrjet të mos i largojnë punëtorët për të cilët kanë marrë subvencion së paku 1 vit. Ajo theksoi se ky ligj është "tekst i shkëlqyeshëm" me të cilin do të ndihmohen kategoritë më të ndjeshme, të cilat marrin rrogë minimale, por kjo do të ndikojë edhe ndaj punëtorëve të tjerë dhe do të shkaktojë rritje spirale të rrogave. Sipas Bllagica Llasovska, deputete e VMRO-DPMNE, kjo zgjidhje ligjore nuk është e plotë dhe siç tha do të shkaktojë hendek më të madh në shumë sfera. Adnan Neziri, deputet nga Aleanca për shqiptarët theksoi se rritja e rrogës minimale imponopn dhe tërheqë mundësi për rritjen edhe të rrogave të tjera. "Propozimi ynë ishte rritja ekuivalente, siç rritet rroga minimale, të rriten edhe rrogat e tjera tek nëpunësit publik në bazë të koeficientit të ndërlikueshmërisë. Rritja me ligj, pa u bazuar me atë rast në rritjen ekonomike, nuk është efikase, sepse e tërë kjo mund të shkaktojë probleme të tjera, Rritja që vendoset vetëm me ligj ndërsa nuk nënkupton edhe harmonizim me rritjen ekonomike nënkupton ekonomi gri, largim nga puna të punëtorëve. Nuk duhet vetëm t'i rrisim rrogat, por edhe të krijojmë kushte për rritje ekonomike", tha Neziri. Sipas deputetit të BDI-së, Bedri Fazli, rritja e rrogës minimale është zgjidhje sistematike dhe e qëndrueshme, e cila, siç tha, do të ndikojë në prodhimtarinë dhe konkurrencën. Paraprakisht, në fillim të debatit, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, duke e arsyetuar Propozimin e ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për rrogën minimale, tha se ai është i gatshëm për dialog me punëdhënësit dhe punëtorët, dhe është sjellë zgjidhje të cilën e mbështesin të gjithë, e ajo është rroga minimale të jetë 18.000 denarë. "Ligji e konfirmon rrogën minimale, e cila për muajin mars, përfundimisht me pagesën për marsin, duhet të jetë në vlerë prej 18.000 denarëve. Shteti mendon edhe për punëdhënësit. Në vetë propozim ligjin është paraparë që shteti ta mbulojë dallimin e plotë në pjesën e kontributeve për rrogën minimale, e cila për momentin është 15.200 denarë, deri tek ajo që do të paguhet nga marsi ndërkaq e cila do të jetë 18.000 denarë. Është paraparë punëdhënësit të mbështeten në periudhën prej marsit deri në dhjetor të vitit 2022", informoi Trençevska, e cila potencoi se rroga minimale është rritur dyfish në raport me atë prej vitit 2016, e cila ishte 10.080 denarë. Ajo theksoi se pret që rritja e rrogës minimale të ndikojë pozitivisht në rritjen edhe të rrogave tët jera, me çka, siç tha, do të përmirësohet standardi i qytetarëve. ab/

QËNDRONI TË LIDHUR