• e hënë, 23 dhjetor 2024

De Kro: Belgjika përballet me rreziqe të sigurisë

De Kro: Belgjika përballet me rreziqe të sigurisë

Bruksel, 27 mars 2024 (MIA) - Deri në fund të vitit 2024, në Bruksel do të rekrutohen 200 policë të rinj, si rezultat i shqetësimeve në rritje për situatën e sigurisë në kryeqytetin belg pas disa të shtënave në periudhën e kaluar, paralajmëroi kryeministri belg, Aleksandar de Kro.

“Po përballemi me rreziqe sigurie”, deklaroi De Kro pas seancës së sotme të Këshillit të sigurisë kombëtare të Belgjikës.

Ai bëri të ditur se Këshilli vendosi të ruajë nivelin e tretë të kërcënimit terrorist në vend, duke paralajmëruar zbatimin e operacioneve të sigurisë në zona të caktuara të Belgjikës, me qëllim zvogëlimin e rreziqeve të sigurisë.

Sipas kryeministrit belg, autoritetet do të zhvillojnë një plan për të luftuar dezinformimin, si dhe do të krijojnë një sistem të sigurt komunikimi midis institucioneve më të rëndësishme të vendit.

De Kro gjithashtu theksoi se Belgjika do të sigurojë investime shtesë për të forcuar sigurinë doganore dhe kibernetike.

“Këto investime janë të nevojshme dhe japin fryte, por ne ende nuk i kemi arritur qëllimet tona”, shtoi De Kro.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, paralajmërimet e këtilla të De Kros pasojnë pasi më herët Trupi koordinues belg për vlerësimin e kërcënimeve (OCAD) tha se numri i personave të përfshirë në listën e tij të terroristëve që janë subjekt i monitorimit është zvogëluar vitin e kaluar nga 700 në 650, por se “niveli mesatar i kërcënimit të këtyre individëve është rritur lehtë”.

Kjo listë e OCAD përmban emra të ekstremistëve dhe terroristëve që Belgjika po monitoron me prioritet të lartë. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR