• e hënë, 23 dhjetor 2024

Daçiq: Pres riatdhesim të Ramadanit, por kjo është çështje e brendshme e Maqedonisë së Veriut

Daçiq: Pres riatdhesim të Ramadanit, por kjo është çështje e brendshme e Maqedonisë së Veriut

Shkup, 25 korrik 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, pret që autoritetet maqedonase ta ekstradojnë ish-pjesëtarin e UÇK-së, Blerim Ramadanin, po duke theksuar me këtë rast se kjo është çështje e brendshme e Maqedonisë së Veriut.

"Për shumë persona që kanë marrë pjesë në ato krime gjatë luftërave kanë lëshuar fletarrest dhe janë arrestuar në bazë të atyre fletarresteve. Presim që të merret vendim për riatdhesim, por kjo është çështje e brendshme e Maqedonisë së Veriut", është përgjigjur Daçiq i pyetur nëse ka marrë përgjigje nga Qeveria e RMV-së nëse do ta ekstradojnë ish-pjesëtarin e UÇK-së Ramadanin.

MPB-ja më 18 të këtij muaji, në vendkalimin kufitar Jazhincë, duke hyrë në vend e ka privuar nga liria B.R. (47) nga Kosova për shkak se gjatë kontrolit të pasaportës dhe kontrolleve të kryera është konstatuar se në evidencën zyrtare është me masën “arresto”, me kërkesë të Interpol Serbisë. Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës më pas bëri të ditur se bëhet fjalë për Blerim Ramadanin, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në zonën operative të Nerodime. Nga atje kërkuan lirimin e tij nga autoritetet maqedonase.

Një ditë pas arrestimit, më 18 korrik, Gjykata Themelore Penale Shkup, me kërkesë të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Ramadanit i ka caktuar masën e paraburgimit ekstradues. Disa ditë më vonë veteranët dhe familjarët e ish-pjesëtarit të UÇK-së Ramadani protestuan para Gjykatës Themelore Penale në Shkup dhe kërkuan lirimin e tij.

Pyetjes së një gazetari tjetër se autoritetet e Kosovës kanë kërkuar ekstradimin e Millan Radojçiqit, për çka kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se Radojçiq ka qenë duke u përgatitur për trazira të reja dhe nëse Serbia është e gatshme ta ekstradojë atë, Daçiq është përgjigjur se çdo formë e komunikimit bëhet përmes EULEKS-it. 

"Nuk e di nëse e kuptoni se Serbia nuk e njeh Kosovën dhe kjo është absolutisht e paqartë. Të gjithë ne që punojmë, punojmë me EULEKS-in dhe në atë mënyrë kërkuam dhe morëm informacione lidhur me të gjitha ato procese. Kështu që, asnjë ekstradim brenda Serbisë nuk është i mundur dhe Serbia është një vend që në përbëerjen e saj e ka edhe Kosovën, kështu thonë Kombet e Bashkuara. Bashkëpunimi policor bëhet ekskluzivisht përmes EULEKS-it", është përgjigjur Daçiq. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR