Dështon sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës
- Ka dështuar edhe përpjekja e 36-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Qe 27 herë me radhë seanca po dështon te pika e njëjtë që është formimi i komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
- Post By Fami Bajrami
- 12:43, 23 qershor, 2025
Prishtinë, 23 qershor 2025 (MIA)- Ka dështuar edhe përpjekja e 36-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Qe 27 herë me radhë seanca po dështon te pika e njëjtë që është formimi i komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Ky komision ka dështuar të formohet në mungesë të votave. Sot në sallë kanë qenë 99 deputetë, për formimin e komisionit kanë votuar 53 deputetë, kundër një dhe nuk ka pasur asnjë abstenim.
Sërish, përfaqësues të dy taborëve politikë përgjegjësinë për dështimin ia kanë hedhur njëri-tjetrit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hekuran Murati ka thënë se me mospjesëmarrjen në votim, deputetët e partive që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë, po e shkelin Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas tij thotë se deputetët janë të obliguar që të marrin pjesë në votim.
“Sado që duket e pabesueshme kemi mbi 30 here që deputetët e opozitë vijnë në sallë dhe refuzojnë të kryejnë obligimin e tyre kushtetues, që të votojnë, të marrin pjesë në votim”, është shprehur Murati, pas dështimit të konstituimit të Kuvendit.
Seanca konstituive ka filluar më 15 prill dhe nga atëherë deputetët janë mbledhur çdo 48-orë në përpjekje për të përmbyllur konstituimin e organit ligjvënës. Seanca e radhës do të mbahet të mërkurën prej orës 11.