Dështon përpjekja e 53-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, tjetri sonte në orën 22:00
- Plot 53 herë deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të arrijnë konstituimin e Kuvendit. Sot në seancën e radhës ligjvënësit nuk arritën zgjidhje të bllokadës politike.
- Post By Fami Bajrami
- 17:22, 26 korrik, 2025
Prishtinë, 26 korrik 2025 (MIA)- Plot 53 herë deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të arrijnë konstituimin e Kuvendit. Sot në seancën e radhës ligjvënësit nuk arritën zgjidhje të bllokadës politike.
Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë kërkuar kthim në rend të ditës, rrjedhimisht procedimin në votimin për kryeparlamentar dhe jo për komisionin për votim të fshehtë.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se seanca do të vazhdojë sërish në orën 22:00 për një tentativë të fundit të 54-të.
107 deputetë ishin të pranishëm në sallë, por konstituimi dështoi pasi që sërish nuk pati propozime dhe kuorum për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.
Pas mesnatës, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit. Kjo pasi që një vendim i Gjykatës Kushtetuese i publikuar në orët e vona të 24 korrikut, vendosi masë të përkohshme nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Foto: EPA