Dështon përpjekja e 11-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
- Ka dështuar përpjekja e 11-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Edhe këtë herë ka dështuar që të kalojë propozimi i LVV-së që të formohet komisioni zgjedhor për votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit. Për kanë votuar 56 deputetë, kundër 1 dhe një ka abstenuar.
- Post By Fami Bajrami
- 11:02, 5 maj, 2025
Prishtinë, 5 maj 2025 (MIA)- Ka dështuar përpjekja e 11-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Edhe këtë herë ka dështuar që të kalojë propozimi i LVV-së që të formohet komisioni zgjedhor për votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit. Për kanë votuar 56 deputetë, kundër 1 dhe një ka abstenuar.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka më të lehtë ta sakrifikojë Albulena Haxhiun sesa të dalë e “të matet” vetë kur bëhet fjalë për formimin e Qeverisë, pasi që, sipas tij, nuk i ka numrat e mjaftueshëm.
“Për Albin Kurtin duket se Albulena Haxhiu është më e rëndësishme sesa mbi një milion qytetarë që kanë votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe që kanë dhënë verdiktin e tyre se si duhet të krijohen institucionet. Ai po luan me Albulena Haxhiun duke e mbajtur atë si kandidaten që nuk do të kalojë as në të ardhmen, sepse e ka më të lehtë ta sakrifikojë atë sesa të dalë e të matet vetë pasi që e di se nuk i ka numrat. Një gjë duhet ta kuptojë edhe Albin Kuti, nuk mund ta mbajë me zor peng shtetin, e ka mbajtur mjaftueshëm gjatë tashmë, nëse vërtetë dëshiron të kemi rrugëdalje e ftoj ta ndryshojë kandidaten”, ka thënë ai, njofton Koha.net.
Kryetari i Nismës Seocialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se vonesat në konsitutimin e institucioneve janë të panevojshme.
Ai ka thënë se për të dalë nga situata e krijuar duhet të gjendet rrugë përmes marrëveshjeve politike.
“Rrugët gjenden përmes marrëveshjeve politike, përmes kompromiseve. Kosova duhet ta shohë një shumicë parlamentare, nëse partia e parë nuk mund ta bëjë shumicën, atëherë le ta bëjnë të tjerët një shumicë, përgjegjësinë e kanë tri partitë e mëdha, që të marrin iniciativë për ta nxjerrë vendin nga kriza”, ka deklaruar Limaj.
Vazhdimi i radhës është caktuar për të mërkurën në orën 10.