Burime amerikane zbulojnë se Irani po përgatitej të minonte Ngushticën e Hormuzit
- Ushtria iraniane muajin e kaluar ngarkoi mina nënujore në anijet në Gjirin Persik, duke rritur më tej shqetësimet në Uashington se Teherani po përgatitet të bllokojë Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve izraelite ndaj objektivave në të gjithë Iranin, thanë dy zyrtarë amerikanë, raportuan mediat britanike.
- Post By Sara Ademi
- 09:03, 2 korrik, 2025
Uashington, 2 korrik 2025 (MIA) - Ushtria iraniane muajin e kaluar ngarkoi mina nënujore në anijet në Gjirin Persik, duke rritur më tej shqetësimet në Uashington se Teherani po përgatitet të bllokojë Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve izraelite ndaj objektivave në të gjithë Iranin, thanë dy zyrtarë amerikanë, raportuan mediat britanike.
Përgatitjet e pazbuluara më parë për të minuar rrugën e rëndësishme ujore, të zbuluara nga inteligjenca amerikane, erdhën menjëherë pas sulmit të parë raketor të Izraelit ndaj objektivave në Iran më 13 qershor, thanë zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së informacionit.
Ngarkimi i minave në anije, të cilat ende nuk janë vendosur në ngushticë, sugjeron që Teherani mund të ketë qenë duke e konsideruar seriozisht mbylljen e një prej rrugëve ujore më qarkulluese në botë, gjë që do ta thellonte më tej konfliktin dhe do të prishte seriozisht tregtinë botërore.
Afërsisht një e pesta e tregtisë botërore të naftës dhe gazit kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe një bllokadë me siguri do të shkaktojë rritje të çmimeve të energjisë. Çmimet globale të naftës ranë më shumë se 10 për qind pas sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit, pjesërisht për shkak të lehtësimit që konflikti nuk shkaktoi ndërprerje të konsiderueshme në tregtinë me "arin e zi".
Parlamenti iranian thuhet se mbështeti bllokadën e ngushticës më 22 qershor, menjëherë pasi ushtria amerikane bombardoi tre objekte kryesore bërthamore iraniane në një përpjekje për të ndaluar programin bërthamor të Iranit. Vendimi nuk ishte detyrues dhe vendimi përfundimtar për mbylljen duhej të merrej nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare të Iranit, raportoi në atë kohë Iran Pres TV.
Gjatë viteve, Irani ka kërcënuar vazhdimisht se do të mbyllë ngushticën, por kurrë nuk e ka zbatuar një kërcënim të tillë.
Sipas mediave britanike, nuk është e mundur të përcaktohet me siguri se kur saktësisht, gjatë luftës ajrore izraelito-iraniane, Teherani i ngarkoi minat apo nëse ato u shkarkuan ndërkohë.
Të dy zyrtarët thanë se qeveria amerikane nuk e ka përjashtuar mundësinë që ngarkimi i minave të ketë qenë një mashtrim. Iranianët mund t’i kenë përgatitur minat për të bindur Uashingtonin se po e shqyrtonin seriozisht mbylljen e ngushticës pa pasur ndërmend ta bënin këtë, thanë zyrtarët.
Ngushtica e Hormuzit ndodhet midis Omanit dhe Iranit dhe lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit në jug dhe Detin Arabik në lindje. Është 34 kilometra e gjerë në pikën e saj më të ngushtë dhe linja e transportit detar është vetëm rreth tre kilometra e gjerë në secilin drejtim.
Anëtarët e OPEK-ut, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Iraku, eksportojnë pjesën më të madhe të naftës së tyre përmes ngushticës, kryesisht në Azi. Katari, një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të gazit natyror të lëngshëm, dërgon pothuajse të gjithë gazin e tij natyror të lëngshëm përmes kësaj rruge.
Irani gjithashtu eksporton pjesën më të madhe të naftës së tij përmes ngushticës, gjë që teorikisht kufizon aftësinë e tij për ta mbyllur atë. sa/
foto: pamje satelitore