• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bundestagu ka lehtësuar procedurën për marrjen e pasaportës gjermane dhe shtetësisë së dyfishtë

Bundestagu ka lehtësuar procedurën për marrjen e pasaportës gjermane dhe shtetësisë së dyfishtë

Berlin, 19 janar 2024 (MIA) - Parlamenti gjerman dje me votat e përfaqësuesve të partive të koalicionit qeveritar miratoi Ligjin e ri për shtetësinë me të cilin lehtësohet marrja e pasaportës gjermane dhe lejon dyshtetësinë.

"Është njohje për ata që vijnë në këtë vend dhe kontribuojnë në funksionimin e kësaj shoqërie", tha ministrja e Punëve të Brendshme, Nensi Fejzer, duke aluduar për nevojën e madhe të Gjermanisë për fuqi punëtore të kualifikuar nga jashtë.

Sipas ligjit të ri, të huajt që jetojnë në Gjermani mund të aplikojnë për shtetësi pas pesë në vend të tetë viteve të mëparshme të qëndrimit të ligjshëm në vend. Në rastet kur aplikuesi tregon progres të veçantë në procesin e integrimit, siç është mësimi i shpejtë i gjuhës gjermane, përparim në punë, kërkesa mund të paraqitet edhe pas tre vjetësh.

Në të ardhmen lejohet shtetësia e dyfishtë e cila deri tani lejohej vetëm në raste të jashtëzakonshme, si dhe për qytetarët e Bashkimit Evropian (BE).

Aplikuesit për shtetësinë, do të duhet të nënshkruajnë poashtu besnikëri ndaj rendit kushtetues gjerman. Në rast të mosrespektimit të Kushtetutës gjermane, veçanërisht pjesës që lidhet me racizmin, antisemitizmin dhe diskriminimin në bazë të gjinisë, shtetësia mund të merret sërish brenda dhjetë viteve.

Aplikuesit e mundshëm për pasaportë gjermane do të duhet gjithashtu financiarisht të mirëmbajnë veten dhe familjen e tyre. Përjashtime ekzistojnë për të ashtuquajturat brezi i punëtorëve të parë, të cilët për faktin se kanë punuar në vende pune me pagë më të ulët, sot marrin pensione më të ulëta dhe për rrjedhojë varen nga ndihma shtetërore.

Fëmijët e të huajve në Gjermani me automatizëm do të marrin shtetësinë gjermane me kusht që të paktën njëri prind të ketë jetuar në Gjermani për të paktën pesë vjet.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR