• e premte, 05 dhjetor 2025

Britania e Madhe njofton sanksione të reja kundër Izraelit nëse nuk pranon armëpushimin në Gaza

Britania e Madhe njofton sanksione të reja kundër Izraelit nëse nuk pranon armëpushimin në Gaza

Londër, 22 korrik 2025 (MIA) - Britania e Madhe mund të vendosë sanksione të reja kundër Izraelit nëse nuk arrihet armëpushim në Rripin e Gazës, tha shefi i diplomacisë britanike, Dejvid Lami.

"Jam i tmerruar dhe i neveritur nga veprimet izraelite në enklavën palestineze", u tha Lami gazetarëve pasi Izraeli nisi një operacion tokësor kundër Deir al-Bala, qendrës kryesore të ndihmës humanitare në Gaza.

Në një kumtesë të përbashkët të nënshkruar nga 25 vende, përfshirë Francën, Kanadanë dhe Australinë, ministrat e jashtëm bënë thirrje për heqjen e menjëhershme të kufizimeve izraelite mbi shpërndarjen e ndihmës humanitare në Gaza. Ata thanë se modeli aktual i shpërndarjes kishte çuar në "sulme të përsëritura ndaj civilëve palestinezë që kërkonin ushqim".

Izraeli u përgjigj se deklarata ishte "përtej realitetit" dhe se "i dërgon mesazhe të gabuara Hamasit".

Lami, i cili më parë e përsëriti të njëjtën gjë në Parlamentin Britanik, tha se Londra po shqyrton seriozisht sanksione shtesë.

"Kemi prezantuar tashmë disa masa, por nëse nuk ka ndryshim në sjellje dhe vuajtjet vazhdojnë, jemi gati të ndërmarrim hapa të rinj", tha ai. sa/

foto: arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR