Britania dëshiron të zvogëlojë numrin e emigrantëve ilegal nga Ballkani Perëndimor
- Britania e Madhe do të përforcojë përpjekjet e saj për të luftuar rrjetet kriminale nga Ballkani Perëndimor të cilat mundësojnë migrimin ilegal, deklaroi mbrëmë kryeministri Kir Starmer, disa ditë pasi që paralajmëroi një numër të madh të reformave të cilat do të ndihmojnë në uljen e migrimit.
- Post By Fami Bajrami
- 08:24, 15 maj, 2025

Londër, 15 maj 2025 (MIA) - Britania e Madhe do të përforcojë përpjekjet e saj për të luftuar rrjetet kriminale nga Ballkani Perëndimor të cilat mundësojnë migrimin ilegal, deklaroi mbrëmë kryeministri Kir Starmer, disa ditë pasi që paralajmëroi një numër të madh të reformave të cilat do të ndihmojnë në uljen e migrimit.
Në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, Starmer do të paralajmërojë masa për të parandaluar kthimin e shtetasve shqiptarë në Britani pasi të jenë deportuar dhe do të bëjë më shumë për të luftuar larjen e parave midis dy vendeve. Ai gjithashtu do të dhurojë dy pajisje zbulimi të falsifikimit për të identifikuar më lehtë ata të cilët përdorin pasaporta të falsifikuara.
Ai gjithashtu do të paralajmëroj zgjerimin e grupit të përbashkët të punës për migracionin duke shtuar edhe Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Grupi tashmë përfshin Shqipërinë dhe Kosovën.
Në vitin 2022, shqiptarët ishin emigrantët më të shumtë në Britani, por numri që atëherë ka rënë ndjeshëm, pjesërisht për shkak të marrëveshjes së deportimit që ka arritur qeveria e mëparshme konservatore.
Sa i përket migracionit të ligjshëm i cili përbën pjesën më të madhe të atyre të cilët vijnë në Britani, Starmer më herët këtë javë premtoi ulje të ndjeshme të hyrjeve-neto duke theksuar se pa rregulla më të rrepta vendi rrezikon të bëhet "ishull i të huajve". rq/
Foto: arkivi i MIA-s