• e enjte, 02 janar 2025

Bregu përmbyll mandatin në RCC: “Rajoni kurrë më i vetëdijshëm për bashkëpunimin”

Bregu përmbyll mandatin në RCC: “Rajoni kurrë më i vetëdijshëm për bashkëpunimin”

Tiranë, 30 dhjetor 2024 (MIA)- Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, përfundoi dy mandatet e saj pas emërimit në vitin 2019. Mandati i Bregut ishte i shenjuar nga angazhimi  për forcimin e lidhjeve rajonale, avancimin e integrimit në BE, arritjen e sukseseve të mëdha dhe nxitjen e iniciativave kyçe për “gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Bregu theksoi se mandati i saj u karakterizua nga angazhimi për të forcuar bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor dhe për të afruar rajonin me Bashkimin Evropian.

“Gjashtë vjet më parë e nisa këtë udhëtim me një vizion: “të afroj vendet e Ballkanin Perëndimor mes njëri – tjetrit dhe ta afroj atë më shumë me Evropën”, tha Bregu.

Ajo përmendi suksese si eliminimi i tarifave të roamingut brenda rajonit, ulja e tyre me BE-në deri në 97%, hapja e korridoreve të gjelbra gjatë pandemisë së Kovid-it dhe krijimi i Planit të Tregut të Përbashkët Rajonal.

“Lehtësuam njohjen e diplomave dhe 7 profesioneve për studentët dhe profesionistët: fuqizuam dhe krijuam platforma për të rinjtë, dhe inovacionin, si Balkathon; ngritëm të parin rrjet rajonal për gratë në sipërmarrje, duke mos lënë pas dore dhe komunitetet e margjinalizuara . I dhamë Rajonit agjendën e parë të gjelbër me detyrime konkrete për luftën ndaj ndotjes e mbrojtjen e mjedisit…”, tha ajo.

“Ka qenë më energjik e më sfidues se sa mund të kisha imagjinuar. Përpjekja për arritje konkrete, nxitja  e frymës së bashkëpunimit në një rajon që historikisht është orientuar drejt konfliktit dhe  mbajtja e ndezur e dritës së shpresës për integrimin në BE gjatë pandemisë apo edhe në momentet kur fjala zgjerim nuk përmendej, – ishin vetëm disa prej tyre. Sot, kthej kokën pas me krenari duke parë se sa gurë kemi lëvizur”, shtoi Bregu.

Bregu falënderoi ekipin e RCC-së dhe të gjithë ata që e mbështetën në këtë rrugëtim, duke nënvizuar se bashkëpunimi është kyç në një botë ku pasiguria mbizotëron.

“Pas 6 vitesh, mund të them me bindje se rajoni ynë kurrë nuk ka qenë kaq i vetëdijshëm për rëndësinë e bashkëpunimit”.

“Mirënjohje për secilin prej jush dhe për momentet e paharrueshme që kemi ndarë. Mirupafshim!”, përfundoi Majlinda Bregu.

 

QËNDRONI TË LIDHUR