• e hënë, 23 dhjetor 2024

Brazili vendos ushtrinë në kufirin me Venezuelën

Brazili vendos ushtrinë në kufirin me Venezuelën

Brazilia, 7 dhjetor 2023 (MIA) - Brazili njoftoi se po vendos disa ushtarë përgjatë kufirit me Venezuelën, pasi Qeveria e Venezuelës i ka publikuar planet për inkorporimin e zonave të kontrolluara nga Guajana në territorin e saj. 

Rajoni Esekibo i pasur me naftë është diskutuar që nga shekulli 19 kur Guajana ishte koloni britanike. 

Venezuela rinovoi pretendimin e saj për këtë territor pasi rezervat e naftës dhe gazit u zbuluan në det disa vite më parë.

Tensionet veçanërisht u rritën pas referendumit të së dielës në Venezuelë, në të cilin mbi 95 për qind e votuesve e kanë përkrahur pretendimin e Esekibos, njofton Bi-Bi-Si. 

Presidenti i Venezuelës, Nikollas Maduro menjëherë ka kërkuar që kompania shtetërore e naftës të lëshojë leje gërmimi në territor dhe propozoi që Asambleja kombëtare të miratojë një ligj që e bën zonën pjesë të Venezuelës. Me lëvizje të tilla ai shkaktoi shqetësim në të gjithë rajonin.

Armata braziliane theksoi se po forcon praninë e saj në rajon si pjesë e përpjekjeve për të "garantuar paprekshmërinë e territorit".

Një helikopter ushtarak i Guajanës, me shtatë persona është raportuar i zhdukur pranë kufirit me Venezuelën. Megjithatë, shefi i shtabit të ushtrisë së Guajanës, Omar Kan deklaroi se nuk kishte "asnjë informacion që sugjeronte se Venezuela ishte e përfshirë në incident". qa/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR