• e premte, 05 dhjetor 2025

Bozhinovska: Nevojitet aksion i koordinuar në luftën me ndotjen e ajrit dhe sistem që nuk do të lejojë keqpërdorime

Bozhinovska: Nevojitet aksion i koordinuar në luftën me ndotjen e ajrit dhe sistem që nuk do të lejojë keqpërdorime

Shkup, 23 maj 2025 (MIA) - Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, gjatë debatit mbikëqyrës për ndotjen e ajrit që zhvillohet në Kuvend, theksoi sot se ministria është e vetëdijshme për ndikimin e kapaciteteve tradicionale energjetike, por se problemi i ndotjes duhet kërkuar edhe te keqpërdorimi i sistemit, pra përdorimi i lëndëve djegëse të dëmshme dhe me origjinë të dyshimtë për përfitime personale dhe materiale. 

"Dua t’ju kujtoj për rastin e fundit për të cilin Prokuroria po zhvillon procedurë – blerja e mazutit toksik që është përdorur për ngrohjen e spitaleve dhe objekteve publike në vendin tonë. Dhe jo vetëm një, por një rrjet importuesish të cilët në kundërshtim me ligjin, kanë furnizuar me lëndë djegëse që nuk i plotësojnë as standardet më themelore ekologjike – ndërsa çmimin, si gjithmonë, e paguajnë qytetarët me shëndetin e tyre dhe me mjedisin jetësor të ndotur. Raste të tilla tregojnë sa e rëndësishme është të krijojmë një sistem që nuk lejon abuzime. Kjo është edhe thelbi i Ligjit të ri për energjetikë – kontroll i rreptë dhe standarde të qarta ekologjike", tha Bozhinovska. 

Ministrja theksoi se ministria është tërësisht e përfshirë në zbatimin e projekteve nga “Programi planifikues për ajër më të pastër 2024–2030”, që synojnë uljen e ndotjes përmes investimeve në burime më të pastra energjie dhe përmirësimin e efiçiencës energjetike. Ajo theksoi se po punohet në subvencionimin e pompave termike dhe kaldajave me gaz në amvisëri, zhvillimin e qendrave kogjenerative me gaz në zonat urbane, modernizimin e sistemeve të ngrohjes në sektorin publik, elektrifikimin e shërbimeve taksi dhe mbështetjen për qytetarët dhe bizneset përmes iniciativës “Green Finance Facility”. 

Bozhinovska theksoi edhe se ministria po punon në sigurimin e qasjes në gaz natyror si alternativë tranzitore dhe paralelisht investon në burime të rinovueshme.

"Tranzicioni i gjelbër duhet të jetë i drejtë. Prandaj, në mënyrë strategjike mbetemi të përkushtuar në modernizimin e KRRE Manastir, por njëkohësisht po ndërtojmë centrale diellore dhe me erë. Bashkëpunimi rajonal është kyç. Ndërtimi i ndërlidhjeve të reja me Shqipërinë, Greqinë dhe fqinjët e tjerë do ta forcojë rajonin dhe do të hapë dyert për investime më të mëdha", shtoi Bozhinovska, duke bërë thirrje për një veprim të koordinuar të të gjithë sektorëve. 

Debati mbikëqyrës për ndotjen e ajrit ka nisur të martën dhe do të zgjasë pesë ditë. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR