• e martë, 24 dhjetor 2024

Bozhinovska: Bashkëpunimi rajonal është e një rëndësie të veçantë për transformimin energjetik

Bozhinovska: Bashkëpunimi rajonal është e një rëndësie të veçantë për transformimin energjetik

Strugë, 2 tetor 2024 (MIA) - Zhvillimi i qëndrueshëm në sektorin energjetik nuk nënkupton vetëm adaptimin e teknologjive të energjisë së pastër, por edhe promovimin e efikasitetit energjetik dhe zvogëlimin e shpenzimeve totale të energjisë, tha ministrja e Energjisë, Xehetarisë dhe Lëndëve të para minerale, Sanja Bozhinovska në hapjen e konferencës ndërkombëtare "Energjetika 2024", e cila prej sot deri të premten do të mbahet në Strugë në organizim të Shoqatës energjetike të Maqedonisë (ZEMAK). 

Kjo, sipas saj, kërkon investime në hulumtim dhe zhvillim, si dhe përpjekje bashkëpunimi ndërmjet qeverive, liderëve të industrisë dhe institucioneve akademike. 

Bashkëpunimi rajonal, theksoi ministrja, është e një rëndësie të veçantë për transformimin energjetik. 

"Sfidat energjetike me të cilat përballemi nuk kufizohen në kufijtë kombëtar. Projekte për bashkëpunim, tregje të integruara për energji elektrike dhe koordinim rajonal të politikave janë të një rëndësie thelbësore për arritjen e sigurisë energjetike dhe përmbajtjen në rajonin tonë", theksoi Bozhinovska, duke shtuar se shteti është i përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me vendet fqinje.

Idetë dhe partneritetet që do të dalin nga Konferenca ndërkombëtare për energjinë, nënvizoi ajo, do të formësojnë të ardhmen e energjisë në Maqedoninë e Veriut, në rajon dhe në botë.

Ministrja theksoi se po jetojmë në një realitet kur lidhjet me sektorin e energjetikës janë të një rëndësie të jashtëzakonshme, ku prodhimi dhe shpërndarja e energjisë janë bazë e rritjes dhe stabilitetit ekonomik.

Një nga temat kryesore të konferencës, theksoi, është tranzicioni energjetik, gjegjësisht zvogëlimi i emisioneve të karbonit dhe sigurimi i qasjes se besueshme dhe të përballueshme të energjisë për të gjithë. 

Për kryetarin e Shoqatës energjetike të Maqedonisë, Borko Aleksoski, energjetika është një nga shtyllat më të rëndësishme në çdo shoqëri, prandaj avancimi dhe përmirësimi i tij teknologjik është i një rëndësie të paçmueshme për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror.

"Zhvillimi i energjetikës në vendin tonë duhet të ndjekë të gjitha tendencat nga rajoni dhe nga Evropa. Në këtë drejtim, po ndërmerren aktivitete të gjera me qëllim të zbatimit të legjislacionit evropian në legjislacionin tonë kombëtar i cili është bazë për zhvillimin e energjisë dhe qasjen në tregun e vetëm evropian të energjisë", theksoi Aleksoski. 

Sipas tij, ekspertët në forum jo vetëm që do të ndajnë dhe shkëmbejnë përvoja dhe plane në sferën e energjisë në nivel rajonal dhe global, por bashkërisht do të kërkojnë zgjidhje për problemet dhe sfidat aktuale me të cilat përballet secili prej nesh. qa/

Foto: MIA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR