• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bota i dha lamtumirën e fundit mbretëreshës Elizabeta e Dytë

Bota i dha lamtumirën e fundit mbretëreshës Elizabeta e Dytë
Uindzor, 19 shtator 2022 (MIA) – Me muzikë nga gajdexhiu i saj personal, arkivoli me mbretëreshën Elizabeta e Dytë sot u lëshua në varrin në kapellën Shën Xhorxh në Uindzor. Pasdite përfundoi shërbimi i fundit publik për mbretëreshën Elizabeta e Dytë me çka bota i dha lamtumirën e fundit një prej monarkëve më jetëgjatë në botë. Familja mbretërore sonte do të marrë pjesë në shërbimin e fundit, privat, larg kamerave kur arkivoli me mbretëreshën Elizabeta e Dytë do të vendoset në kapellën Shën Xhorxh afër bashkëshortit të saj, princit Filip. “U tubuam t’ia besojmë duarve të Zotit shpirtin e shërbyeses së saj, mbretëreshën Elizabetë. Këtu, në kapellën e Shën Xhorxhit, ku ajo aq shpesh përkulej. E kujtojmë si dikë, besimi i së cilës i jokomplikuar, por i thellë i krishterë dha aq shumë fryte”, tha dekani i Uindzorit, Dejvid Koner i cili e kreu shërbimin. Ai e ceki mirësinë e saj, përkushtimin ndaj punës, shërbimin e përkryer për kombin, kujdesin dhe inkurajimin për familjen e saj, miqtë dhe fqinjët. “Në jehonën e botës shpejtë të ndryshueshëm dhe shpesh problematik, prania e saj e qetë dhe dinjitoze na e dha besimin për t’u përballur me të ardhmen, si bënte ajo, me guxim dhe shpresë”, tha Koner. Më pas, nga arkivoli u mënjanuan kurora, topi dhe skeptri shtetëror. Mjetet i jepen dekanit të Uindzorit dhe ai i vendosë në altarin e lartë. Këto tradita ceremoniale e simbolizojnë fundin e sundimit të mbretëreshës, përderisa ajo për herë të fundit ndahet nga kurora e saj. Arkivoli më pas u lëshua në varrin mbretëror, ndërkaq u shqiptuan edhe të gjithë titujt e mbretëreshës. Kori i kapellës Shën Xhorxh e interpretoi edhe himnin britanik “Zot ruaje mbretin”, të cilin mbreti Çarllsi i Tretë e ndoqi dukshëm i shqetësuar dhe i mbylli sytë derisa e këndonte. Moment tjetër simbolik ishte kur lordi Çembërlen, baroni Parker, në mënyrë ceremoniale e theu shkopin e tij dhe e vendosi mbi arkivolin e mbretëreshës. Kjo shënon fundin e shërbimit të tij tek mbretëresha. Ish-shefi i MI5 u emërua funksionari më i lartë në amvisërinë e mbretëreshës së ndjerë vitin e kaluar. Puna e Lordit Çembërlen është të organizojë ngjarje për monarkun – por edhe të sigurojë disiplinë mes personelit mbretëror. Shkopi i hollë, i bardhë për të cilin bëhet fjalë, historikisht është përdorur për t’i disiplinuar të punësuarit të cilët nuk sillen mirë, si paralajmërim për ta përmirësuar sjelljen e tyre. Familja mbretërore do të kthehet sonte në orën 20:30 sipas kohës së mesme evropiane në varrimin e fundit privat larg kamerave kur mbretëresha Elizabeta e Dytë do të varroset në kapellën Shën Xhorxh afër bashkëshortit të saj, princit Filip. Arkivoli i mbretëreshës Elizabeta e Dytë paraprakisht ishte në udhëtimin e vet të fundit deri në pallatin Uindzor nga Londra, ku në Abacinë Uestminster u mbajt varrimi shtetëror. Qindra mijëra njerëz u tubuan në Londër në rutën nëpër kryeqytetin britanik për ta dhënë lamtumirën e tyre të fundit, përderisa miliona në mbarë botën e shikuan varrimin shtetëror në televizion. Mbreti Çarllsi i Tretë dhe vëllezërit dhe motra e tij shkuan prapa arkivolit derisa largohej nga Abacia e Uestminsterit pas varrimit shtetëror, përderisa anëtarët e tjerë të familjes mbretërore udhëtuan me automobila. Gjatë shërbimit, mbreti Çarlls ishte dukshëm i tronditur dh disa herë për pak do të qante, posaçërisht derisa këndohej himni kombëtar. Ai në kurorën e arkivolit, që ishte bërë me lule të cilat i kishte zgjedhur vetë, vendosi një porosi të shkruar me dorë për nënën e tij. "Me dashuri dhe përkujtim të përkushtuar", shkruante në porosi. Në varrimin e mbretëreshës në Abacinë e Uestminsterit morën pjesë rreth 2.000 njerëz, mes të cilëve edhe anëtarë të familjeve mbretërore nga e tërë Evropa, politikanë nga të gjitha anët e spektrit politik dhe liderë botërorë, përfshirë edhe presidentin amerikan, Xho Bajden dhe presidentin francez, Emanuel Makron. Mbreti Çarlls dhe mbretëresha bashkëshorte, Kamilla shkuan menjëherë prapa arkivolit derisa hynin në kishën gotike për shërbesë, pas çka pasuan princesha Ana dhe bashkëshorti i saj, viceadmirali Tim Lorens, më pas proinci Endrju, ndërsa prapa tij edhe princi Eduard dhe bashkëshortja e tij Sofi. Princi Xhorxh dhe princesha Sharlot ishin me prindërit e tyre, ndërsa u shoqëruan nga princi Hari dhe bashkëshortja e tij Megan dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore. Gjatë predikimit të tij, kryepeshkopi nga Kenterberi, Xhastin Uellbi tha se vërshimi i emocioneve për mbretëreshën "del nga jeta e saj e pasur dhe shërbimi me dashuri, që tashmë nuk është". Uellbi e përshkroi mbretëreshën se ka prekur "shumë jetë" dhe se ka qenë "gëzim" për shumicën. "Njerëzit të cilët shërbejnë me dashuri janë të rrallë në cilën do sferë të jetës. Prijësit të cilët shërbejnë me dashuri janë akoma më të rrallë. Por në të gjitha rastet ata të cilët shërbejnë do të jenë të dashur dhe të mbajtur mend kur do të harrohen ata të cilët mbahen për pushtet dhe privilegje", tha ai. "Pikëllimi i kësaj dite - që e ndjen jo vetëm familja e mbretëreshës së ndjerë, por i tërë kombi, Komonuelthi dhe bota - del nga jeta e saj e pasur dhe shërbimi me dashuri, të cilët tani nuk janë", shtoi. Uellbi, duke qëndruar në kishën ku mbretër dhe mbretëresha janë kurorëzuar prej vitit 1066, gjithashtu tha se mbretëresha në ditëlindjen e saj të 21-të deklaroi "se tërë jeta e saj do t'i kushtohet shërbimit të kombit dhe Komonuelthit". Ai shtoi: "Është e rrallë kur një premtim i tillë është mbajtur aq mirë. Pak liderë e marrin vërshimin e dashurisë që e pamë". Mes himneve të intonuara në shërbim, ishte edhe "Zoti është bariu im" që u këndua edhe në martesën e mbretëreshës me dukën e Edinburgut në abaci në vitin 1947. I fundit nga mbretëresha në Abacinë e Uestminsterit u përshëndet gajdexhiu mbretëror, polici i klasit të parë, Pol Bërns i cili e interpretoi këngën tradicionale pikëlluese 2Fli, e dashur, fli". U interpretuan edhe The Last Post Reveille dhe himni kombëtar. Prehja e fundit e mbretëreshës është kapella memoriale e mbretit Xhorxhi i Gjashtë, aneksi i kapellës kryesore ku ishin varrosur nëna dhe babai i saj, së bashku me hirin e motrës së saj, princeshës Margaret. Arkivoli i Filipit do të zhvendoset për t'u vendosur afër arkivolit të mbretëreshës. Varrimi shtetëror i sotëm i mbretëreshës Elizabeta e Dytë konsiderohet si operacioni më i madh i sigurisë në historinë e Britanisë së Madhe, duke e tejkaluar operacionin për fundjavën e platintë jubilar dhe Olimpiadën në Londër në vitin 2012. ab/

QËNDRONI TË LIDHUR