• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bota mund të rrijë e qetë, ne nuk do të përdorim armë bërthamore në Ukrainë, deklaroi ambasadori rus në Londër

Bota mund të rrijë e qetë, ne nuk do të përdorim armë bërthamore në Ukrainë, deklaroi ambasadori rus në Londër
Londër, 3 nëntor 2022 (MIA) - Ambasadori rus në Britaninë e Madhe, Andrej Kelin, ka thënë sot në një intervistë për “Skaj Njuz” se Rusia nuk do të përdorë armë bërthamore në luftën në Ukrainë. "Nuk ka fitues në një luftë bërthamore dhe ajo nuk duhet të luftohet kurrë. Ne qëndrojmë me vendosmëri ndaj kësaj deklarate," tha Kellin. Intervista e ambasadorit rus vjen disa momente pasi Moska thirri për bisedime ambasadorin britanik, për shkak të pretendimeve të palës ruse për përfshirjen e anëtarëve të marinës britanike në sulmin e fundit ndaj flotës ruse të Detit të Zi pranë Krimesë. Kur u pyet nëse kishte ndonjë provë për pretendime të tilla, Kelin tha: "Ne e dimë shumë mirë se forcat speciale britanike morën pjesë në trajnimin, përgatitjen dhe ekzekutimin e sulmit kundër infrastrukturës ruse dhe flotës ruse në Detin e Zi. Ne e dimë se çfarë ka ndodhur”.
Mbi këmbënguljen e gazetarit për të paraqitur prova për pretendimet e përfshirjes së forcave speciale britanike në sulmin e Krimesë, Kelin tha se provat do të publikohen shumë shpejt, "ndoshta edhe nesër". “Është e rrezikshme sepse e përshkallëzon situatën. Mund të na sjellë, do të thosha, në një pikë pa kthim, por një kthim është gjithmonë i mundur. Megjithatë, ne duhet të shmangim përshkallëzimin”, tha ambasadori rus.
Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi për përfshirjen e tepruar të Britanisë së Madhe në konflikt. "Kjo do të thotë se situata po bëhet më e rrezikshme," tha ai. I pyetur nëse Moska mund të përdorë armë bërthamore në luftën në Ukrainë, ambasadori rus ishte i vendosur: “Jo. Ne e sigurojmë botën se Rusia nuk do të përdorë armë taktike bërthamore në konfliktin në Ukrainë”. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR