• e diel, 22 dhjetor 2024

Borel: Në Lindjen e Afërt duhet të heshtin armët, ndërsa të flasë diplomacia

Borel: Në Lindjen e Afërt duhet të heshtin armët, ndërsa të flasë diplomacia

Bruksel, 1 tetor 2024 (MIA) – Sulmet masive izraelite ndaj Bejrutit dhe gjithë Libanit, që filluan të premten e kaluar, edhe pse janë të drejtuara ndaj caqeve të Hezbollahut, megjithatë përfaqësojnë shkelje të sovranitetit të një shteti të pavarur, deklaroi mbrëmë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Zhozep Borel pas përfundimit të takimit joformal onllajn të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të Unionit. 

“Ky është një moment i së vërtetës për Libanin. Një moment i së vërtetës kur ky vend, i cili është në mes të një lufte, dhe Bashkimi Evropian duhet të angazhohen së bashku për të ruajtur institucionet e shtetit nga rreziku i kolapsit”, deklaroi Boreli, duke shtuar se kjo ishte arsyeja që ai thirri mbledhjen e djeshme joformale të ministrave të punëve të jashtme të BE-së.

Sipas Borelit, tani duhet të heshtin armët, ndërsa të flasë diplomacia që të gjithë ta dëgjojnë zërin e saj.

Ai shtoi se në takim është biseduar për përkeqësimin e situatës në Liban, për angazhimet e Bashkimit Evropian për gjetjen e zgjidhjes politike dhe për parandalimin e përshkallëzimit të mëtutjeshëm dhe thellimin e konfliktit. 

“Bashkimi Evropian vazhdimisht angazhohet për hapjen e derës për një zgjidhje diplomatike, për një armëpushim të menjëhershëm, për rishpërndarjen e Forcave të armatosura libaneze, për zgjedhjen e një presidenti në Liban, për formimin e një qeverie dhe për sigurimin e kushteve për zbatimin e plotë të Rezolutës 1701 të (Këshilli për Siguri të KB-së)”, shtoi Borel.

Ai theksoi se në takim ishte vlerësuar se kjo situatë përfaqëson përshkallëzim të raketimeve ndërkufitare nga ana e Hezbollahut libanez ndaj territorit izraelit, të filluara pas 7 tetorit pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, për çka u pranua e drejta e shtetit islamik që të mbrohet, por se gjatë kësaj duhet të kemi parasysh të drejtën ndërkombëtare humanitare. 

Sipas tij, çdo intervenim i mëtutjeshëm ushtarak në mënyrë dramatike do ta përkeqësonte situatën dhe ajo duhet të shmanget.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për shkak të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtutjeshëm i konfliktit në rajon dhe ju bëjmë thirrje palëve në rajon që të tregohen të përmbajtur në interes të qetësimit të situatës”, tha përfaqësuesi i lartë i BE-së.

Boreli shtoi se për shkak të konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut, një numër i madh i izraelitëve dhe libanezëve duhej të largoheshin nga shtëpitë e tyre, duke theksuar, se në Liban tashmë ka rreth një milion persona të zhvendosur brenda vendit, nga të cilët disa madje “po bëjnë përpjekje të shkojnë në Siri”.

“Kjo zhvendosje masive e popullit libanez drejt veriut padyshim rrit nevojën për mbështetje humanitare. Siç e dini, kryetarja (e KE-së, Ursula) fon der Lajen tashmë ka paralajmëruar mbështetjen prej një miliard euro për Libanin. Në të njëjtën kohë, nga Mekanizmi Evropian i Paqes, kemi ndarë një ndihmë të re prej 15 milionë eurosh për vitin 2024. Por duke marrë parasysh rrethanat aktuale, po shqyrtohet mbështetje shtesë nga Bashkimi Evropian”, tha Boreli.

Ai shtoi se është e nevojshme mbështetje edhe për Forcat e armatosura libaneze, të cilat “janë bërthama e shoqërisë dhe shtetësisë libaneze” dhe të cilat duhet të vazhdojnë të luajnë rol kyç “si garanci për qëndrueshmërinë vendore dhe rajonale”.

“Më 23 shtator miratuam masë të re për ndihmë në fuqizimin e Forcave të armatosura libaneze dhe jemi të gatshëm ta rrisim mbështetjen varësisht nga ajo se si do të zhvillohet situata”, theksoi Boreli. 

Sipas tij në situatën e tanishme, rol kyç stabilizimi ka Misioni i KB-së në Liban (UNIFIL), prandaj Bashkimi Evropian dhe vendet e tij anëtare janë të gatshme ta përmirësojnë mbështetjen e tyre të vazhdueshme të UNIFIL.

Boreli theksoi edhe se BE-ja bën thirrje për mbledhje urgjente të Këshillit të sigurisë dhe se do t’i shfrytëzojë të gjitha përpjekjet diplomatike me qëllim që të angazhohet për armëpushim. 

“Në këtë moment, të gjithë liderët libanezë duhet të vënë në plan të parë interesat kombëtare dhe të punojnë së bashku për të rivendosur funksionimin e institucioneve shtetërore libaneze, veçanërisht duke zgjedhur një president dhe duke formuar një qeveri me kapacitet të plotë. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Libanin në konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe në marrjen e hapave të nevojshëm për rimëkëmbjen e tij”, tha Boreli.fc/

Fotografia: Skrinshot

QËNDRONI TË LIDHUR