• e martë, 24 dhjetor 2024

Borel: Londra, Berlini dhe Parisi besojnë se Irani nuk po përmbush detyrimet e tij të Marrëveshjes për programin bërthamor

Borel: Londra, Berlini dhe Parisi besojnë se Irani nuk po përmbush detyrimet e tij të Marrëveshjes për programin bërthamor

Bruksel, 15 shtator 2023 (MIA) - Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borel, informoi se ka marrë njoftim nga Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca se Irani nuk po i përmbush detyrimet e Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit, që i referohen programit bërthamor iranian.

"Ata kujtojnë se shprehin shqetësimin e tyre se Irani nuk po i përmbush detyrimet e tij në kuadër të Planit dhe këtë çështje ia referuan Komisionit të Përbashkët në kuadër të Mekanizmit për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve", thekson Borel në një deklaratë me shkrim, i cili është edhe koordinator i Komisionit të Përbashkët për zbatimin e Planit të Veprimit.

Ai shtoi gjithashtu se të tre vendet planifikojnë "të mos ndërmarrin hapa në lidhje me heqjen e sanksioneve të mëtejshme" ndaj Iranit.

"Sipas kërkesës, letrën ua dorëzova pjesëmarrësve të tjerë në Planin e Veprimit - Kinës, Iranit dhe Federatës Ruse. Si koordinator, do të konsultohem me të gjitha palët e përfshira në plan për hapat e ardhshëm. Unë mbetem plotësisht i përkushtuar dhe nuk do të kursej asnjë përpjekje për të rinovuar planin dhe për të vazhduar zbatimin e plotë të marrëveshjes", shtoi Borel në deklaratë.

Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, i njohur më mirë si Marrëveshja Bërthamore e Iranit ose Marrëveshja e Programit Bërthamor të Iranit, u arrit në Vjenë më 14 korrik 2015, midis Iranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të KB-së - Britania e Madhe, Kina, Rusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca - dhe plus Gjermania, me pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian

Negociatat zyrtare mbi Marrëveshjen filluan me miratimin e Planit të Përbashkët të Veprimit, një marrëveshje e përkohshme e nënshkruar midis Iranit dhe gjashtë vendeve të tjera në nëntor të vitit 2013. Korniza e Marrëveshjes Bërthamore të Iranit u miratua në prill të vitit 2015, e ndjekur nga Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit në korrik, së bashku me Marrëveshjen e Udhërrëfyesit midis Iranit dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEB). Marrëveshjet kishin për qëllim të lehtësonin shqetësimet ndërkombëtare se Irani po punon për të prodhuar armë bërthamore, pavarësisht pretendimeve të Teheranit se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime në kohë paqeje.

Në maj të vitit 2018, SHBA u tërhoq nga Plani, me ç'rast administrata e atëhershme në Uashington njoftoi negociata për një "marrëveshje më të mirë", por deri në fund të mandatit të ish presidentit amerikan Donald Tramp, kjo nuk u bë.

Nga ana tjetër, ekspertët dhe analistët vlerësojnë se pas tërheqjes amerikane nga Plani, Irani iu afrua një hap më afër zhvillimit të armëve bërthamore. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR