• e hënë, 23 dhjetor 2024

Borel: Lindja e Mesme është në prag të një zjarri të plotë

Borel: Lindja e Mesme është në prag të një zjarri të plotë

Bruksel, 7 tetor 2024 (MIA) - Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian (BE), Zhosep Borel, sot paralajmëroi se e gjithë Lindja e Mesme është në “prag të një zjarri të plotë që bashkësia ndërkombëtare duket se nuk mund ta kontrollojë".

Në përvjetorin e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit dhe fillimit të luftës në Gazë, Borel ka thënë se "situata sa vjen e përkeqësohet".

“Njerëzit në rajon janë më të pasigurt se kurrë dhe kanë rënë në një spirale të pafundme të dhunës, urrejtjes dhe hakmarrjes”, tha Boreli.

Ai tha se BE-ja "dënon dhe refuzon" çdo përshkallëzim të dhunës në Lindjen e Mesme, duke përfshirë raketat e Hezbollahut, bombardimin e Izraelit ndaj Libanit, zhvendosjen e mbi një milion libanezëve dhe 60.000 izraelitëve, rritjen e tensioneve në sulmet me raketa iraniane dhe zhvillimet "shqetësuese" në Bregun Perëndimor.

Ai theksoi se operacionet ushtarake dhe armët midis të gjitha palëve "nuk do t'i sjellin të ardhme popullit të Izraelit apo popullit të Palestinës".

“Vetëm një zgjidhje politike do të sjellë paqe, siguri dhe prosperitet”, ka thënë Boreli.

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR