• e premte, 05 dhjetor 2025

Blumberg: Moska po mendon për një "armëpushim ajror" si mundësi

Blumberg: Moska po mendon për një

Moskë, 6 gusht 2025 (MIA) - Moska po shqyrton disa mundësi në lidhje me përpjekjet e presidentit amerikan Donald Tramp për t'i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, përfshirë mundësinë e një armëpushimi ajror, publikoi Blumberg, duke iu referua disa burimeve të afërta me Kremlinin. 

Sipas burimeve, një pauzë në sulmet ajrore, duke përfshirë dronët dhe raketat, mund të ofrohet si një gjest deeskalimi, me kusht që Ukraina të bjerë dakord me një plan të tillë.

Vizita e të dërguarit special amerikan Stiv Uitkof, i ofron Rusisë një mundësi për të arritur një marrëveshje me administratën e Trampit, megjithëse shanset për sukses janë minimale, thonë burimet.

Megjithatë, përfaqësuesit rusë theksojnë se Rusia nuk do të bjerë dakord për një armëpushim të përgjithshëm, ndërsa trupat e saj vazhdojnë të përparojnë në fushën e betejës dhe qëllimet e luftës mbeten të pandryshuara.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, deklaroi se takimet për një marrëveshje të mundshme "do të mbahen", por nuk donte të komentonte paraprakisht mbi to.

Tramp njoftoi së fundmi se mund të vendosë tarifa të larta për vendet që blejnë naftë ruse, përfshirë Kinën dhe Indinë, në një përpjekje për të rritur presionin mbi Putinin për t'i dhënë fund luftës.

Presidenti bjellorus Aleksandar Lukashenko të premtën propozoi një "armëpushim ajror", megjithëse lideri rus nuk bëri ndonjë koment. 

Në mars, Ukraina dhe Rusia deklaruan se do ta respektojnë moratoriumin 30-ditor për sulmet ndaj infrastrukturës energjetike pas bisedimeve me Trampin, megjithëse secila palë akuzoi tjetrën për shkelje të marrëveshjes. ls/

Foto: Arkivi i EPA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR