• e hënë, 25 nëntor 2024

Blinken: Të miratohen masat për përshkallëzimin dhe të ndalojë dhuna izraelito-palestineze

Blinken: Të miratohen masat për përshkallëzimin dhe të ndalojë dhuna izraelito-palestineze

Uashington, 31 janar 2023 (MIA) – Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken, deklaroi se është “i pikëlluar” për vdekjen e “palestinezëve të pafajshëm” në dhunën izraelito-palestineze, gjatë takimit me presidentin palestinez Mahmud Abas në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Më lejoni që në fillim të shpreh ngushëllimet dhe pikëllimin tim për vdekjen e civilëve të pafajshëm palestinezë që kanë humbur jetën në përshkallëzimin e dhunës gjatë vitit të fundit”, deklaroi ai në selinë e Administratës palestineze në Ramallah në Bregun Perëndimor, territori palestinez, i pushtuar nga Izraeli në vitin 1967.

Në konfliktin izraelito-palestinez kanë humbur jetën 235 njerëz në vitin 2022, mes të cilëve pothuajse 90 për qind ishin palestinezë, sipas statistikave të agjencisë franceze të lajmeve të bazuara në burime zyrtare izraelite dhe palestineze. OKB-ja ka vlerësuar se numri i viktimave në Bregun Perëndimor vitin e kaluar ishte më i larti që nga viti 2005.

Izraeli ka pranuar në disa raste se forcat e tij kanë vrarë gabimisht civilë në ato që i quan sulme “kundër-terrorizmi”.

“Palestinezët dhe izraelitët kanë një ndjenjë të shtuar të pasigurisë, frika po përhapet gjithnjë e më shumë në komunitetet e tyre dhe në vendet e tyre të adhurimit”, u përgjigj Blinken në Ramallah.

“Konsuiderojmë se është e rëndësishme të miratohen masa depërshkallëzimi, të ndalohet dhuna dhe të zvogëlohet tensioni (…)”, shtoi ai, duke kërkuar që të mos bëhet asgjë që mund të rrezikojë zgjidhjen me dy shtete, atë izraelite dhe palestineze.

Ai përmendi “zgjerimin e vendbanimeve (izraelite), legalizimin e vendbanimeve të paligjshme (të cilat qeveria nuk i miratoi), shembjen dhe dëbimet” të kryera nga qeveritë izraelite.

Blinken tha gjithashtu se i vinte keq që “horizonti i shpresës për palestinezët po ngushtohet. Dhe kjo, ne mendojmë, duhet të ndryshojë”.

Udhëtimi i kreut të diplomacisë amerikane, i planifikuar prej kohësh, nisi të dielën në Egjipt dhe përfundon mbrëmjen e sotme. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR