• e hënë, 23 dhjetor 2024

Blinken: Rusia i trajnon ushtarët koreanoveriorë në artileri, fluturake pa pilot

Blinken: Rusia i trajnon ushtarët koreanoveriorë në artileri, fluturake pa pilot

Uashington, 1 nëntor 2024 (MIA) – SHBA-ja pret mbërritje të armatës koreanoveriore në zonën ruse Kursk në ditët në vijim, deklaroi shefi i diplomacisë amerikane Antoni Blinken, duke i bërë thirrje Kinës që ta shfrytëzojë ndikimin e saj dhe ta frenojë Phenianin.

Blinkeni tha se Rusia i trajnon ushtarët koreanoveriorë në artileri, fluturake pa pilot dhe operacione themelore të këmbësorisë, me çka qartë e bëri të ditur se plotësisht kanë qëllim t’i shfrytëzojnë forcat në operacionet e linjës së parë. 

Diplomati i parë amerikan shtoi se në Rusi tashmë ka 10.000 ushtarë koreanoveriorë, prej të cilëve 8.000 janë në rajonin e Kurskut, ku forcat ukrainase ende mbajnë territor të madh pas pushtimit të këtij territori rus në gusht.

“Ushtarët koreanoveriorë do të bëhen caqe ushtarake legjitime nëse hyjnë në fushëbetejë”, theksoi Blinkeni në konferencë për media në Uashington me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Llojd Ostin dhe kolegët koreanojugorë. 

“Ende nuk jemi dëshmitarë të shpërndarjes së këtyre ushtarëve në betejat kundër armatës ukrainase, por presim që kjo të ndodhë në ditët në vijim”, tha ai. 

Ministri koreanojugor i Mbrojtjes, Kim Jong-un, gjithashtu, deklaroi se Koreja e Veriut i ka dërguar Rusisë më shumë se 1.000 raketa. 

“Janë dërguar më shumë se 1.000 raketa”, tha Kim Xhong-hjun në konferencë për media në Uashington, duke shtuar se Koreja e Veriut i ka dorëzuar Rusisë edhe miliona copë municion. 

“SHBA-ja dhe Koreja e Jugut u pajtuan që Kina duhet të bëjë më shumë që t’i shtyp veprimet provokative të Koresë së Veriut”, tha Blinkeni, duke shtuar se autoritetet amerikane këtë javë kishin “bisedë të vështirë” me Pekinin. 

“Mendoj se ata e njohin mirë shqetësimin që e kemi, dhe pritjet, edhe me fjalë edhe me vepër, dhe se do ta shfrytëzojnë ndikimin të cilin e kanë që t’i shtypin ato aktivitete”, tha Blinkeni për autoritetet kineze. 

Pekini, partner i afërt edhe i Moskës dhe Phenianit, deri më tani vazhdimisht bënte thirrje për qetësim të situatës në të gjitha anët dhe në zgjidhje politike të konfliktit. fc/


 

QËNDRONI TË LIDHUR