• e hënë, 23 dhjetor 2024

Blinken: Negociatat e paqes në Liban po përparojnë, por sfidat mbeten

Blinken: Negociatat e paqes në Liban po përparojnë, por sfidat mbeten

Uashington, 1 nëntor 2024 (MIA) - Sekretari i shtetit amerikan, Entoni Blinken kumtoi se ka pasur përparim të rëndësishëm në negociatat për armëpushim të mundshëm midis Izraelit dhe organizatës islamike libaneze “Hezbollah”.

SHBA-ja punon “shumë intensivisht” për të arritur një marrëveshje, e cila do të përfshinte tërheqjen e lëvizjes islamike libaneze të mbështetur nga Irani nga rajoni në kufi me Izraelin, theksoi Blinkeni në konferencën e mbrëmshme për shtyp në Uashington.

“Nëse i shikojmë udhëtimet e mia të fundit në rajon dhe diskutimet e vazhdueshme, do të shohim se kemi bërë përparim të mirë drejt këtij qëllimi”, shtoi ai.

Por, “ne kemi ende punë për të kryer” e pranoi sekretari i shtetit, duke bërë thirrje për, "zgjidhje diplomatike, duke përfshirë edhe armëpushim".

Përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë, Amos Hokshtajn dhe Bret Makgerk, dje u takuan në Jerusalem me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, në përpjekje për të gjetur zgjidhje për luftën e vazhdueshme midis Izraelit dhe “Hezbollahut”. Sipas mediave izraelite, plani i hartuar nga deputetët amerikanë kërkon që “Hezbollahu” të tërhiqet nga Libani jugor, ndërsa armata izraelite të largohet nga rajoni, ndërsa kontrollin do ta merr armata libaneze dhe forcat paqeruajtëse të KB-së.

Si mbështetës kryesor ushtarak i Izraelit, SHBA -ja bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Liban dhe mbështet sulmet izraelite ndaj “Hezbollahut”, megjithëse shpreh shqetësimin për fatin e popullit civil.

Blinken përsëri bëri thirrje për zbatimin e plotë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të KB-së, e cila i dha fund luftës midis “Hezbollahut” dhe Izraelit në vitin 2006. Sipas kësaj rezolute, në Libanin jugor duhet të vendosen vetëm forcat paqeruajtëse dhe armata libaneze.

I pranishmi në konferencë për media, ministri i Mbrojtjes së Amerikës Llojd Ostin, gjithashtu deklaroi se ekziston "mundësi" për Libanin. “Shpresojmë se do të shohim një përmirësim të situatës në Liban në të ardhmen e afërt”, theksoi sekretari i shtetit.

Përveç kësaj, Blinken i bëri thirrje Izraelit që të lejojë vazhdimin e fushatës së vaksinimit kundër paralizës së fëmijëve, veçanërisht në pjesën veriore të Rripit të Gazës, e cila u ndërpre për shkak të bombardimeve intensive.

Është e rëndësishme që kjo të ndodhë në ditët në vijim dhe ne presim që Izraeli të lehtësojë këtë fushatë, deklaroi sekretari i shtetit në konferencën për media, ndërsa sipas të dhënave të OBSH-së rreth 119.000 fëmijë në pjesën veriore të Gazës presin të marrin dozën e dytë të vaksinës. fc/

Fotografia: Arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR