• e martë, 26 nëntor 2024

Blinken bisedoi me sekretarin e sapoemëruar të NATO-s, Mark Rute

Blinken bisedoi me sekretarin e sapoemëruar të NATO-s, Mark Rute

Uashington, 3 tetor 2024 (MIA) - Sekretari amerikan i shtetit Entoni Blinken ka zhvilluar bisedë me sekretarin e sapoemëruar të përgjithshëm të NATO-s Mark Rute, me ç'rast e ka uruar për marrjen e funksionit, kumtoi mbrëmë Departamenti amerikan i Shtetit.

"Sekretari i shtetit Blinken dhe sekretari i përgjithshëm Rute diskutuan për mbështetjen e menjëhershme dhe afatgjatë të Ukrainës nga SHBA-ja dhe NATO-ja, duke përfshirë zbatimin e Programit për siguri dhe stërvitje të NATO-s për Ukrainën, me qëllim që ta ndihmojë atë të mbrohet sot dhe të parandalojë agresionin rus në të ardhmen", thuhet në kumtesë.

Blinken dhe Rute gjithashtu diskutuan dhe për planin e veprimit të aleatëve, të dakorduar në samitin në Uashington në korrik të këtij viti.

"Të dy diskutuan për thellimin e marrëdhënieve të NATO-s me partnerët, duke përfshirë rajonin Indo-paqësor dhe fqinjësinë jugore të NATO-s (në të cilën përfshihen vendet e Lindjes së Afërt, Afrikën e Veriut dhe rajonin e Sahelit). Të dy palët theksuan rëndësinë e lidhjes së domosdoshme transatlantike të NATO-s për të garantuar sigurinë tonë", thuhet në kumtesë.

Duke marrë detyrën sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute paraprakisht ka theksuar se Aleanca e Atlantikut të Veriut do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën.

"Sa më shumë që ta ndihmojmë Ukrainën në këtë moment, aq më shpejt do të përfundojë e gjithë kjo", tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s në konferencë për shtyp. "Putini duhet të kuptojë se ne nuk do të dorëzohemi dhe se duam që Ukraina të fitojë".

Rute potencoi se çmimi i mbështetjes së Ukrainës është shumë më i ulët se çmimi i fitores së Putinit. Pastaj, ai theksoi se e drejta e Ukrainës për vetëmbrojtje "nuk përfundon në kufi".

Kur mori funksionin të martën, Rute pranoi urime edhe nga presidenti i SHBA-së, Xho Bajden.

"Sekretari i përgjithshëm Rute ka biografi impresionuese si njeri që promovon arritjen e konsensusit dhe lider vendimtar", theksohet në deklaratën e Bajdenit, e publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

"Fuqimisht jam i bindur se ai do të vazhdojë ta zhvillojë punën tonë për të përforcuar NATO-n, kështu që Aleanca do të jetë më e fortë, më e madhe dhe më e vendosur se kurrë në zbatimin e misionit të saj për krijimin e një bote më të sigurt për popujt tanë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten thellësisht të përkushtuara ndaj Organizatës së Aleancës së Atlantikut të Veriut – aleanca më e suksesshme në historinë botërore. Ne fuqimisht i përmbahemi obligimit tonë të shenjtë të nenit pesë: sulmi ndaj njërit prej neve është sulm ndaj të gjithëve". rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR