• e martë, 26 nëntor 2024

Bill Klinton nesër do të udhëtojë për vizitë dyditore në Shqipëri

Bill Klinton nesër do të udhëtojë për vizitë dyditore në Shqipëri

Tiranë, 2 korrik 2023 (MIA) - Ish presidenti amerikan Bill Klinton, nesër do të udhëtojë për vizitë dyditore në Shqipëri, me çka do t'i dorëzohet mirënjohja "Ylli i Mirënjohjes për Arritjet Publike".

"Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë në datat 3 dhe 4 korrik 2023. Klinton dhe delegacioni që e shoqëron do të mbërrijë në Tiranë ditën e hënë, më 3 korrik, pasdite, ku në orën 19.00 do të pritet nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' përballë Kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve", informon agjencia shtetërore ATSH.

Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i 42-të i SHBA-së, Bill Klinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.

Në orën 19:25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të presidentit të 42 të SHBA-së, Bill Klinton me "Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike" që do të pasohet nga fjalimi i Ramës dhe Klintonit.

"Kjo është një vizitë e parashikuar dhe planifikuar prej disa kohësh të cilën e kemi mbajtur sekret vetëm për arsye të ndonjë befasie që mund të kishte agjenda e tij. Është një takim për të bërë të mundur prezantimin me Shqipërinë të presidentit Klinton. Ai ka qenë në Kosovë, ai njeh Kosovën por ai nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri ndërkohë që për shqiptarët ai dhe familja e tij kanë një respekt dhe një ndjenjë afeksioni të jashtëzakonshëm", tha Rama në lidhje me vizitën.

Duke folur për agjendën e vizitës, Rama informoi se "do t’i bëjmë një mirëseardhje shqiptare dhe do t’i japim mundësinë të njohë pak nga Tirana".

Shtoi se "kjo vizitë dhe nuk është fare në kontekstin e këtij aktualiteti kaq fatkeq".

"Dy baballarët e mëdhenj të asaj që ndodhi në Kosovë janë Bill Klinton dhe Toni Bler, por ka ardhur një moment që fëmija nuk i dëgjon baballarët", shtoi Rama. fc/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR