• e premte, 05 dhjetor 2025

Bilanci i vdekjes nga tërmeti katastrofik në Afganistan u rrit në mbi 800 persona

Bilanci i vdekjes nga tërmeti katastrofik në Afganistan u rrit në mbi 800 persona

Kabul, 1 shtator 2025 (MIA) – Të paktën 800 persona humbën jetën, ndërsa më shumë se 2.500 janë lënduar në tërmetin i cili e kaploi provincën verilindore afgane Kunar, njoftuan autoritetet. 

“Tërmet me fuqi prej 6 ballë sipas shkallës së Rihterit e goditi Afganistanin lindor në afërsi të kufirit me Pakistanin, me çka humbën jetën mbi 800 persona, ndërsa rreth 2.500 janë lënduar”, njoftoi zëdhënësi i qeverisë afgane, Mavlavi Zabiula Muxhahid. 

Ai theksoi se numri i viktimave mund të rritet sepse operacionet e shpëtimit ende po vijojnë. 

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë të mbijetuar nën rrënoja, ndërsa të lënduarit po evakuohen me helikopterë në zona më të sigurta. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se tre fshatra janë shkatërruar plotësisht, ndërsa shumë të tjerë janë me dëmtime të mëdha. 

Tamindri de Silva, drejtoresha e “World Vision Afganistan”, deklaroi për “Al Xhazira”se lugina Mazar ishte epiqendra e tërmetit, me një fshat të shkatërruar plotësisht. "Kjo është një nga pjesët më të largëta dhe më të varfra të Afganistanit, me infrastrukturë minimale, qasje të kufizuar rrugore dhe pa institucione shëndetësore apo shkolla", tha ajo, duke shtuar se shtëpitë, kryesisht të ndërtuara me baltë dhe pa ndërtim të fortë, shemben lehtë nga tërmetet, duke çuar në një numër të madh viktimash të bllokuara nën rrënoja.

“Moti është kyç në këtë situatë”, theksoi De Silva. 

Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh, shprehu “solidaritet të plotë me popullin e Afganistanit” pas tërmetit katastrofik dhe u dërgoi ngushëllime të thella familjeve të viktimave, duke u dëshiruar shërim të shpejtë të lënduarve. 

Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi, ofroi ndihmë humanitare, duke përfshirë materiale mjekësore. “Në këto momente të vështira dhe tragjedi të madhe, shprehin ngushëllime të sinqerta dhe solidaritet me popullin e Afganistanit dhe familjeve të viktimave. Irani është plotësisht i gatshëm të dërgojë ndihmë humanitare dhe medicinale”, theksohet në kumtesën e Kabinetit të Aragçit. 

Sipas Institutit Gjeologjik të SHBA-së, tërmeti ka ndodhur pak pas mesnate sipas kohës lokale. Shtëpitë e bëra nga balta dhe druri janë rrënuar, ndërsa helikopterë janë dërguar për evakuim të të lënduarve. Ka raportime për lëkundje të njëpasnjëshme të ndjera në Pakistanin fqinj, e madje edhe në Indi. 

Organizatat humanitare botërore dhe vendet fqinje mobilizohen që të sigurojnë ndihmë urgjente për zonat e prekura, ku kushtet për shpëtim mbeten jashtëzakonisht të vështira për shkak të mungesës së infrastrukturës. fc/

Foto: EPA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR