• e shtunë, 23 nëntor 2024

Bilalli: Nuk ka mungesë të gjakut në Kumanovë, aksionet u shpeshtuan për shkak të festës dhe normalizimit të situatës pas pandemisë

Bilalli: Nuk ka mungesë të gjakut në Kumanovë, aksionet u shpeshtuan për shkak të festës dhe normalizimit të situatës pas pandemisë
Kumanovë, 14 tetor 2022 (MIA) - Nuk ka mungesë të gjakut në Kumanovë, aksionet e shpeshtuara për dhurimin e gjakut javën e kaluar ishin me rastin e festës, njoftuan sot nga shërbimi i transfuzionit. "Situata është nën kontroll, nuk kemi mungesë të gjakut, aksionet ishin për shkak të festave. Kemi mjaftueshëm sasi të gjakut, kemi rezerva të gjakut, nuk ka problem, u shpeshtuan aksionet për shkak të festës", deklaroi mjeku Driton Bilalli, specialist i mjekësisë së transfuzionit, nga shërbimi i transfuzionit. Ai sqaroi se shërbimi kumanovar është nën kompetenca të Institutit nga Shkupi dhe në çfarëdo lloj rasti, edhe pse kjo deri më tani nuk ka ndodhur gjatë të mungesës së gjakut, do të kërkohet ndihmë nga shërbimi qendror. Tani pas pandemisë, situata është stabilizuar. Ka aksione të rregullta për dhurimin e gjakut, gjak dhurojnë edhe nxënës dhe studentë të cilët gjatë pandemisë vijonin mësimin onllajn, u kthyen të gjitha aksionet tradicionale të cilat i organizojnë institucionet, shoqatat e qytetarëve, firmat. "Për fat të mirë kjo është tashmë e kaluar. Dhuruesit e gjakut rregullisht dhurojnë në shërbimin tonë në Kumanovë varësisht muajit numri lëviz prej 150 deri 200 dhurues, plus aksione për dhurimin e gjakut të cilat zhvillohen jashtë shërbimit. Të gjithë personat e interesuar, persona të shëndoshë, mund të vijnë të dhurojnë gjak. Duhet të mos kenë probleme shëndetësore, prej kur do të fillojnë të dhurojnë gjak do të kenë disa përfitime", tha Bilalli. Nëse dhuruesit e gjakut janë në marrëdhënie pune u takojnë nga dy deri tri ditë të lira, varësisht shërbimit, dhuruesit e gjakut kanë kontrolle falas, sepse gjatë dhurimit të gjakut dhe verifikimit hetohen sëmundjet ngjitëse. Pas dhurimit të dhjetë lirohen nga participimi. "Me dhuruesit e gjakut punojmë çdo të hënë dhe të enjte", tha Bilalli. Ai tha se më i rëndësishme është kënaqësia nga dhurimi i gjakut, ajo që dikujt i shpëtohet jeta, se i është përmirësuar gjendja. Dhurimi i gjakut është privilegj i personave të shëndoshë dhe një nga shprehjet më të larta të humanizmit. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR