Berbok: Reforma e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duhej të zbatohej shumë kohë më parë
- Kryetarja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe ish-shefe e diplomacisë gjermane, Analena Berbok, sot deklaroi se reforma e Këshillit të Sigurimit të OKB-së "duhej të zbatohej shumë kohë më parë", por se nuk pret përparim gjatë mandatit të saj.
Nju-Jork, 24 tetor 2025 (MIA) - Kryetarja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe ish-shefe e diplomacisë gjermane, Analena Berbok, sot deklaroi se reforma e Këshillit të Sigurimit të OKB-së "duhej të zbatohej shumë kohë më parë", por se nuk pret përparim gjatë mandatit të saj.
“Kjo nuk do të ndodhë gjatë mandatit tim”, tha Berbok për portalin Politico të Brukselit, ndërsa përparimi, siç theksoi, duhet të arrihet “me hapa të vegjël”, përmes “transparencës më të madhe” dhe “një detyrimi për të shpjeguar veton”.
Me rastin e 80-vjetorit të Kartës së OKB-së, Berbok mbështeti fuqimisht rëndësinë e organizatës, pavarësisht sfidave në rritje ndaj multilateralizmit.
"Pa Kombet e Bashkuara, asnjë vend në botë nuk do të ishte më i sigurt", theksoi ajo.
Qëllimi, sipas saj, duhet të jetë kapërcimi i bllokimeve dhe përmirësimi i efikasitetit të OKB-së, gjë që do të arrihej duke bashkuar agjencitë, duke rritur numrin e stafit lokal dhe duke aplikuar inteligjencën artificiale.
Duke folur për pasardhësin e Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guteresh, Berbok sugjeroi që shefi i ardhshëm i OKB-së duhet të jetë një grua.
Organizata që mbron të drejtat e grave dhe të njeriut "për 80 vite nuk ka arritur të ketë në krye të saj një grua", gjë që, siç vlerësoi ajo, "nuk është më e përshtatshme".
Lidhur me rolin e SHBA-së në OKB, Berbok tha se ende sheh mbështetje të fortë për multilateralizmin, pavarësisht politikës "Amerika në vendin e parë" të presidentit amerikan Donald Tramp.
Është e rëndësishme, shtoi ajo, që fuqitë e mëdha të marrin përgjegjësi dhe "të mos e vënë në dyshim Kartën".
"Kombet e Bashkuara mbeten vendi ku duhet të zgjidhen konfliktet dhe ku zhvillohen zgjidhjet", përfundoi Berbok. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s